Protesta e 9-të kombëtare e opozitës së bashkuar u mbyll pa u shënuar asnjë incident, ndryshe nga herët e tjera. Kryetari i opozitës Lulzim Basha bëri mbylljen e saj nga selia blu duke ripërsëritur se zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë. Por këtë herë ai kishte dhe një kusht tjetër, atë që është sipas tij i panegociueshëm: “30 Qershori është varreza politike e Edi Ramës. Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë. Por sonte me betimin dhe kërkesën tuaj qëndrimin tonë politik për zgjidhjen e kësaj krize përmes kushtit së panegociueshëm të largimit të Edi Ramës, të një qeverie tranzitore që do të përgatisë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, i shtohet dhe një tjetër kusht i panegociueshëm, arrestimin dhe çuarja para drejtësisë e hajdutëve të votave tuaja, nga i pari tek i fundit. Nuk ka paqe pa drejtësi, nuk do të ketë në Shqipëri zgjedhje të lira pa çuar para drejtësisë hajdutët”.

Basha deklaroi në fund të fjalë se beteja e opozitës do vazhdojë ditë për ditë.

“Dhe së fundmi duke kujtuar me mirënjohjen dhe respektin tim më të thellë çdo liberator të arrestuar dhe të mbajtur padrejtësisht në burg, si të burgosur politik të Edi Ramës, nga Bardh Spahia me shokë dua edhe një herë t’i them kupolës mafioze të gjithë veglave qorre, nga Sandër Lleshaj, tek polici më i fundit i cili shkel ligjin dhe dhunon opozitën se shumë shpejt do ta zëvendësoni Bardh Spahinë në qeli. Ju do të shkoni atje sepse liberatorët janë krenaria jonë dhe frymëzimi ynë. Beteja do të vazhdojë ditë për ditë, orë për orë: Rama ik!”./tvklan.al