Pavarësisht debateve dhe akuzave ndaj njëri-tjetrit, Gazment Bardhi dhe Lulzim Basha ndajnë të njëjtën tavolinë në Parlament duke u ulur pranë njërit-tjetrit. Aktualisht Lulzim Basha ulet në krahun e djathtë të Gazment Bardhit. Ky i fundit më herët ka deklaruar se nuk e shikon të nevojshme ndryshimin e vendit në parlament, por ndryshe mendon Basha. Pasi janë ndarë politikisht brenda PD, Basha kërkon që të largojë Bardhin edhe nga karrigia ku ulet aktualisht në parlament.

Nëpërmjet një shkrese zyrtare, Lulzim Basha në tetor të vitit të shkuar i ka kërkuar kryeparlamentares Lindita Nikolla që të largojë nga ana e tij e majtë Gazment Bardhin.

Lulzim Basha e Gazment Bardhi në Kuvend

Basha thotë që Bardhi të ndryshojë vendet me Arbi Agalliun, ndërsa përmend në kërkesë edhe deputetët e tjerë që duhet të ndryshojnë vendet me ligjvënësit që mbështesin atë. Kjo kërkesë e Bashës nuk është zbatuar nga ana e Kuvendit dhe për këtë arsye, Basha e ka përfshirë këtë në kallëzimin që ka bërë në SPAK për kryetaren e Parlamentit, Nikolla.

Në këtë kallëzim Basha ka renditur të gjitha kërkesat që nuk janë zbatuar nga Kuvendi, të bëra prej tij duke e cilësuar veten si kryetar i Grupit Parlamentar i PD. Por, Kuvendi në këtë detyrë njeh Gazment Bardhin, i cili ende vijon të qëndrojë i ulur pa dëshirën e Bashës në krahun e majtë të tij. Pasi iu drejtua SPAK, duke akuzuar Nikollën për shpërdorim detyre, Basha sqaroi për mediat pse ndërmori një hap të tillë.

Kallëzimi i Bashës në SPAK ndaj Nikollës, erdhi pasi kjo e fundit përfshiu në grupin parlamentar deputetët e përjashtuar prej tij me kërkesë të Gazment Bardhit.

Klan News