Basha nuk tërhiqet: Rama po gënjen, ne kemi detyrën të shpërndajmë të vërtetën

Basha nuk tërhiqet: Rama po gënjen, ne kemi detyrën të shpërndajmë të vërtetën

14:25 20/11/2020

Deklaratat e bëra mbrëmjen e së enjtes nga Lulzim Basha në emisionin “Opinion”, se numri i viktimave në vend nga Covid-19 është shumë më i lartë se ai që raportohet zyrtarisht, sollën reagime këtë të premte, si nga mjekët, ashtu edhe nga kryeministri Edi Rama.

Pavarësisht kësaj, kreu i opozitës nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij. Në një postim në rrjete sociale gjatë ditës së sotme, ai përcjell videon nga deklarata e tij në “Opinion”, ndërsa shkruan: “Edi Rama po gënjen dhe po fsheh numrin e viktimave të Covid-19 në Shqipëri. Ne kemi detyrën të shpërndajmë të vërtetën në emër të jetëve të humbura”.

Mjekët e Spitalit Infektiv i cilësuan tronditëse deklaratat e Bashës dhe thanë se godasin përpjekjet e bluzave të bardha në luftën kundër Covid. Sipas tyre numri i viktimave të Covid nuk mund të fshihet pasi ka një sërë procedurash derisa trupi i të ndjerit të dërgohet në morg. Në deklaratën e tyre, bluzat e bardha bënë thirrje që të mos bëhet lojë politike me vdekjen e njerëzve.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama tha se deklaratat e Bashës cënojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë integritetin moral dhe profesional të mjekëve dhe nxit dhunë ndaj tyre. Kryeministri paralajmëroi se nesër do t’u drejtohet shqiptarëve./tvklan.al





Të ngjashme