Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ndërkohë që Tirana po pëson ndryshime pozitive nga dita në ditë, të cilat mund të shihen nga të gjithë falë punës së mirë të punëtorëve të bashkisë së kryeqytetit, persona të papërgjegjshëm dëmtojnë gjelbërimin dhe vjedhin koshat e vegjël të mbeturinave në disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit.

Sipas drejtorit të drejtorisë së përgjithshme nr.1 të punëtorëve të qytetit në bashkinë e Tiranës Afrim Qendro, në disa rrugë janë prerë pemë, këputur lule, hequr kosha të vegjël të mbeturinave, si dhe është vjedhur kabull i tensionit të ulët dhe panele elektrik të vendosur kohet e fundit në rrugën “Zogu i Parë”, në rrugën e “Kavajës”, në rrugën “Komuna e Parisit”.

Ndërkohë drejtori Qendro ka deklaruar se po ju bëhen pothuajse çdo ditë kërcënime nga persona anonim për të mos punuar më për Edi Ramës.

Afrim Qendro:- “Ajo që është më shqetësuese janë telefonatat kërcënuese, nga persona të ndryshëm për mos vazhdimin e punës tonë, sepse po punuam për Edi Ramën, ne do na shkulin me gjithë pemë. Ndërkohë që në punojmë për qytetin dhe Rama kurrë s’na ka kërkuar të punojmë për veten e tij, po të punojmë për Tiranën. Ne do vazhdojmë të punojmë”.

Dëmtimet janë vërejtur në këto rrugë, në rrugën e “Kavajës” ku janë hequr 35 zhalona dhe janë shkulur 27 kosha metalik, në rrugën “Komuna e Parisit” janë thyer 7 pemë të sapo mbjella. Në bulevardin “Zogu i Parë”, janë hequr 100 zhalona dhe janë vjedhur lule. Ndërsa janë vjedhur dhe rreth 675 metër linear kabull të tensionit të ulët, si dhe 8 panele elektrik në rrugë të ndryshme. Nuk është përllogaritur ende shuma e dëmeve të shkaktuara./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka