Në një intervistë për emisionin “Jo Vetëm Modë”, aktroja e njohur e kinematografisë shqiptare, Drane Xhaja, rrëfeu historinë se si u bë pjesë e botës së artit.

Ajo u shpreh se dëshira e saj, por edhe e prindërve, ishte për të studiuar anglisht. Ama, fati e donte ndryshe. Kur arriti të merrte rolin e parë në filmin “Thirrja”, Xhaja e ndjeu që çdo gjë do të ndryshonte në jetën e saj.

Drane Xhaja: Dëshira ime dhe e prindërve të mi ishte për të studiuar anglisht, por arti nuk hynte tek preferencat, as të familjes, sepse mendo mentalitetin shqiptar se si ishte. Në vit të dytë gjimnaz, vjen një ekip i kinostudios së re për të bërë një kino-provë për një vajzë, për një rol kryesor tek një film. Në të gjitha gjimnazet e Shkodrës, fati donte që unë ta fitoja kino-provën, edhe luajta në fimin “Thirrja”. Aty, ndryshoi çdo gjë në jetën time. Unë nuk e dija çfarë është filmi. Kur e kam parë veten në krahë të aktorëve më të mëdhenj shqiptarë, më dukej vetja si plesht i vogël me një elefant para atyre. /tvklan.al