Reduktohen emetimet e CO2 me 55% deri në 2030

Liderët europianë dhe negociatorët e Parlamentit Europian ranë dakord të mërkurën për të kthyer në ligj objektivat e bërjes së bllokut në një zonë karbon-neutrale, deri në vitin 2050 dhe reduktimin e emetimeve të gazeve serë, me të paktën 55 për qind deri në vitin 2030 krahasuar me nivelin e vitit 1990.

“Jemi të lumtur me marrëveshjen paraprake. Ligji europian i klimës është ligji i ligjeve që përcakton kornizën legjislative për 30 vjetët e ardhshëm,” tha Joao Pedro Matos Fernandes, ministri portugez i Mjedisit, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Këshillit të BE-së.

Para se të hyjë në fuqi ligji duhet të miratohet edhe nga ligjvënësit europianë.

Grupi i të gjelbërve në Parlamentin Europian tha se marrëveshjes i mungon ambicia dhe rrezikon të nëpërkëmbë “Marrëveshjen e Gjelbër Europiane.”

Ky grup kërkoi që reduktimi i emetimeve të ngrihet në 65% për të arritur dhe objektivat e Marrëveshjes së Parisit për Klimën.

Zv./presidenti i Komisionit Europian Frans Timmermans, e quajti një çast historik për bllokun gjetjen e gjuhës së përbashkët midis vendeve anëtare.

“Kjo është një ditë e mirë për planetin dhe për njerëzimin,” shtoi ai.

Lajmërimi për arritjen e marrëveshjes erdhi në vigjilje të samitit për klimën që do të organizohet nga presidenti amerikan Joe Biden. Në këtë samit ka konfirmuar pjesëmarrjen edhe presidenti kinez XiJingping.

Klan News