Rekomandimi për të shpëtuar sezonin turistik

Shtetasit europianë do të mund të lëvizin këtë verë në vende të ndryshme të hapësirës Schengen për të pushuar. Por shtetasit shqiptarë dhe të vendeve jo-anëtare të BE-së duhet të presin ende, pasi kufijtë e jashtëm të hapësirës Schengen do të vijojnë të jenë të mbyllura, të paktën deri më 15 Qershor.

Nën-presidentja e Komisionit Europian shpalosi planin e ri jo të detyrueshëm për t’u zbatuar nga vendet anëtare, për lejimin e kufizuar të lëvizjes mes shteteve të unionit, për t’i dhënë frymëmarrje sektorit të turizmit për muajt e verës.

 “Sigurisht që kjo nuk do të jetë një verë normale, por duhet të punojmë sëbashku për të mos e humbur krejtësisht këtë sezonin turistik të kësaj vere”.

Megjithatë, lëvizja do të shoqërohet me kontrolle të vazhdueshme kufitare për të identifikuar dhe izoluar individët e infektuar me COVID-19. I rëndësishëm për lejimin e hyrjes në një shtet tjetër të unionit për turistët është edhe prenotimi i hotelit.

Plani u propozua nga komisioneri për ekonominë Paolo Xhentiloni, i cili më herët në një intervistë për të përditshmen gjermane ‘Zyddojçe Cajtung’ bëri thirrje për të shpëtuar këtë sezon turistik.

Turizmi zë 10% të prodhimit ekonomik të vendeve të unionit dhe punëson dhjetëra miliona njerëz. Këto dy muaj humbjet në këtë sektor arritën në 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Disa vende anëtare e kanë marrë tashmë vendimin për hapjen e kufijve. Gjermania vendosi lejimin prej 15 Qershor të lëvizjes së lirë me Austrinë, Francën dhe Zvicrën. Prej kësaj date edhe vendet balltike, Letonia, Estonia dhe Lituania do të lejojnë lëvizjen mes tyre.

Tv Klan