Bashkimi Europian pozicionohet qartë kundër qëndrimit të Athinës zyrtare për çështjen Beleri.

Në një intervistë për televizionet greke, zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano i bëri thirrje qeverisë greke të mos krijojë ‘krisje të panevojshme’ siç tha ai, në marrëdhëniet dypalëshe.

“Ligji duhet të respektohet. Nëse ka dyshime, shtetet anëtare të BE-së dhe gjithashtu shtete si Shqipëria i kanë mjetet për t’i dhënë zgjidhje problemeve ose mosmarrëveshjeve të tilla, në mënyrë që të mos krijojnë krisje të panevojshme në marrëdhëniet dypalëshe dhe të mos i ngrenë çështjet bilaterale në nivel unioni, si për shembull në procesin e anëtarësimit”.

Në të njejtën linjë ishte Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë takimit me Kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis më 14 Nëntor në Berlin, ku i kërkoi që mosmarrëveshjet dypalëshe të mos i shtrijë në nivelin e integrimit europian.

Greqia është i vetmi mes 27 vendeve të BE-së që nuk ka firmosur dokumentin e përbashkët për hapjen e pesë kapitujve themelorë të negociatave, duke kërkuar fillimisht betimin e Fredi Belerit si kryetar bashkie të Himarës.

Tv Klan