BE zotohet të përshpejtojë vaksinimin



BE zotohet të përshpejtojë vaksinimin

12:00 26/02/2021

Udhëheqeësit europianë diskutojnë edhe për “certifikatën e vaksinimit”

Udhëheqës të Bashkimit Europian u zotuan gjatë samitit të tyre dyditor në Bruksel të përshpejtojnë prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit.

Të mbledhur në një samit virtual, krerët europianë diskutuan gjithashtu idenë e një “certifikate vaksinimi”, që do t’iu jepte njerëzve përfitime të veçanta, të tilla si liri udhëtimi, ngrënia në restorante apo shkuarja në kinema.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, tha në një konferencë për mediat se mes vendeve anëtare ka “gjithnjë e më shumë pajtim për një skemë të tillë, e cila mbështetet sidomos nga vendet që varen nga turizmi”.

Por, Michel tha se prioritet kryesor tani mbetet përshpejtimi i shpërndarjes së vaksinave.

Bashkimi Europian është përballur me kritika të shumta për fushatën e ngadalshme të vaksinimit.

Zyrtarët europianë kanë thënë se kanë hasur në pengesa me furnizimin.

Me gjithë përparimin e ngadalshëm, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von derLeyen, tha se blloku synon ende të vaksinojë 70 për qind të të rriturve, rreth 255 milionë vetë, deri në Shtator.

Ky është një qëllim që ne kemi besim se do ta arrijmë”, tha ajo.

Kancelarja gjermane, AngelaMerkel, paralajmëroi se vendet duhet të jenë të përgatitura “të vaksinojnë popullatën për shumë vite në vazhdim”, për shkak të zhvillimit të mutacioneve të koronavirusit.

Në Bashkimin Europian, vendet me numrin më të lartë të të infektuarve janë: Franca, Spanja dhe Italia.

Klan News







Të ngjashme