Vjero: Interesi nuk do të jetë më i lartë se 5%

Linja e kreditimit për kapital pune për bizneset e prekura nga Covid-19 është bërë efektive menjëherë pasi qeveria miratoi një ditë më parë vendimin për funksionimin e skemës së garancisë sovrane numër 2 me vlerë 15 miliardë Lekë.

Në një intervistë për televizionin Klan, zv/ministrja e Financave Vasilika Vjero, shpjegon se marrëveshja me bankat është firmosur dhe se bizneset mund të fillojnë të nisin procesin e aplikimeve për të marrë hua të butë nga ky fond.

Vlera e kredisë që do të marrin bizneset do të negociohet me bankat, ku qeveria merr përsipër të garantojë 60% të saj, nga 100% që garantoi në paketën e parë. Megjithatë thotë Vasilika Vjero, në asnjë rast interesi nuk do të jetë më i lartë se 5%, ndërsa bizneset mund të mos paguajnë deri në 6 muaj këstet e para të saj.

Vjero sqaron se ky instrument do të ndihmojë bizneset që të dalin nga kriza e krijuar për shkak të situatës së pandemisë, ku gjenden me vonesa në arkëtime, rënie të të ardhurash dhe mungesë likuiditeti për të vazhduar procesin prodhues.

Qeveria miratoi në fillim të javës edhe marrjen përsipër të interesave për kreditë e dhëna nga garancia e parë për pagat e punonjësve. Deri tani nga skema e parë janë miratuar 174 kërkesa të bizneseve, ndërsa në total janë 458 aplikime për një vlerë totale prej 4.6 miliardë Lekësh.

Tv Klan