Berat Gjimshiti është zgjedhur futbollisti më i mirë i takimeve të kthimit në Europa League. Mbrojtësi shqiptar zhvilloi një tjetër paraqitje mbresëlënëse me Atalantën këtë herë ndaj Liverpoolit, aty ku skuadra e tij siguroi kualifikimin historik për në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni. 

Kontributi i kapitenit të Kombëtares shqiptare në prapavijë ishte i jashtëzakonshëm, duke ndalur aksionet e rrezikshme të lojtarëve të Liverpoolit dhe në fund u përzgjodh nga UEFA si lojtari më i mirë i sfidës. Gjimshiti ishte në garë me Jordan Veretout, Gianluca Mancinin dhe Matej Kovar që shkëlqyen me paraqitjet e tyre, por tifozët kanë përzgjedhur si lojtarin e raundit kapitenin e Kombëtares kuqezi.

“Ka krenari dhe lumturi. Publiku gjatë gjithë javës na shtyu dhe kjo u pa edhe në takim. Goli i Salah pas 7 minutsash ishte një episod fatkeq. Në 20 minutat e para vuajtëm nga shpejtësia e lojtarëve të Liverpool dhe më pas i morrëm masat. Ky rezultat duhet të na japë shtysë edhe për ndeshjet e ardhshme. Ne duhet të jemi krenar dhe të japim gjithçka në të gjitha frontet për të cilat ne luftojmë.”

Mbrojtësi shqiptar ka qenë shpesh pjesë e formacionit më të mirë këtë sezon, si në Serie A ashtu edhe në arenën Europiane, duke premtuar garanci edhe për kombëtaren në Euro2024.

Klan News