Qeverisë së drejtuar prej tij, Sali Berisha i njohu meritën e avancimit në procesin drejt unionit, teksa uroi shqiptarët në ditën ndërkombëtare të Europës.

“Gjer në vitin 2013 kjo ishte një rrugë e pandalshme. Shqipëria në vitin 2006 firmosi marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e ratifikoi atë në 27 vendet anëtarë te BE-së. Pas kësaj Shqipëria dorëzoi kërkesën për anëtarësimin në BE, arriti të liberalizojë vizat dhe plotësoi de facto të gjitha kushtet për statusin e vendit kandidat, status që u blloku 2 vite nga Edi Rama për votimin e tre ligjeve për të cilat kishte ujdi të plotë, dhe këshilltarët e Fierit, por status që u vendos menjëherë pas zgjedhjeve të 2013”.

Më rikthimin në pushtet të socialistëve, Berisha tha se ky rrugëtim bëri hapa pas duke u bërë një ëndërr gjithnjë e më e largët për shqiptarët, për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës dhe korrupsionit të kthyer në sistem.

“Por me ardhjen e sektit, apo Edi Ramës dhe rilindësve të tij në pushtet, çdo ditë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë, u ngritën, u trashën, u lartësuan muret e tmerrshme të korrupsionit, drogës e krimit të organizuar.”

Ndaj dhe thirrja e ish-kryeministrit shkoi për shqiptarët, të cilët i ftoi të ngrihen për të shkallmuar me mosbindje civile dyert e mbyllura nga krimi, vjedhja e shfrenuar e qeveritarëve, dhunimi i votës dhe droga që tha se e ka shndërruar Shqipërinë në Kolumbinë e Europës.

Tv Klan