Partia Demokratike nuk do të bëjë aleanca partiake për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, përjashtuar Partinë Republikane që vazhdon të ruajë partneritet politik. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha përjashton çdolloj aleance parazgjedhore me forca politike të qendrës së djathtë. Sipas kryedemokratit, shoqëria civile do të jetë fokusi i këtyre zgjedhjeve, por edhe pjesë e kabinetit të ardhshëm, me marrjen e pushtetit nga Partia Demokratike.

Sali Berisha: “Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë dy forca që ndahen dhe bashkohen në dashurinë për Anasatas Angjelin. E kuopton ti vetë se çfarë aleance mund të bëjmë ne me ta.”

Deputetët demokratë do të kërkojnë në komisionin e integrimit publikimin e një raporti të ardhur nga Komisioni Evropian ku paralajmërohet ndërprerja e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian nëse Shqipëria nuk zhvillon zgjedhje të lira e të ndershme. Sipas liderit të opozitës, këto rekomandime janë fshehur nga kreu i qeverisë Fatos Nano. Megjithatë, Berisha deklaron se opozita do të kontribuojë në të gjitha zonat ku drejton Partia Demokratike në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen sipas vullnetit të lirë të qytetarëve.

Sali Berisha: “Opozita, në këtë kontekst, ka në dorë që në bashkitë dhe komunat e veta, listat të bëhen të plota pa përjashtime të asnjë lloj ngjyre. Ka në dorë të respektojë ligjin në fushatë dhe të angazhohet në një fushatë të qytetëruar.” /tvklan.al