“Ekonomia shqiptare këtë vit do zgjerohet me 4.5 %”

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 4.5 përqind gjatë vitit 2021. Në rishikimin e pritshmërive të saj, BERZH është më optimiste se parashikimet e fillimit të pandemisë.

BERZH përllogarit se ekonomia e Shqipërisë do të arrijë nivelin e 2019-s që këtë vit, madje do ta tejkalojë atë më 1%.

Por gjithsesi ritmet e rritjes do jenë më të ulëta se mesatarja e Ballkanit Perëndimor, që është parashikuar të jetë 5.1 përqind.

Rritjen më të lartë në rajon do e këtë Mali i Zi me 8.5%, por kjo rritje lidhet me nivelin e rënies së madhe të vitit të kaluar, ku ekonomia e këtij vendit ra me -15.2%.

Rritjen e dytë më të madhe në Ballkan do e ketë Serbia me 6%. Ndërkohë që ekonomitë e tjera të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës do kenë një rritje jo më të madhe se 4 përqind.

Për 2022, BERZH për ekonominë shqiptare pret një zgjerim të saj në nivelin e 4 përqindëve. Megjithëse parashikimet e rishikuara janë në rritje, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se mbetet një pasiguri e madhe për shkak të variantit të ri të Covid-19, që njihet ndryshe me emrin “Delta”.

Tv Klan