Ish-presidenti Donald Trump postoi të premten një video në të cilën shfaqej një imazh i presidentit Joe Biden, i lidhur nga duart dhe këmbët, në pjesën e pasme të një kamionçine. Trump linte të kuptonte se postimi ishte filmuar në Long Island të enjten, kur ai po merrte pjesë në varrimin e një oficeri policie, i cili u vra gjatë kësaj jave. Video tregonte dy kamionçina me flamuj dhe postera që shprehnin mbështetjen për Trump. Imazhi i Biden ishte në pjesën e pasme të kamionçinës së dytë.

“Fotoja ishte në pjesën e pasme të një kamionçine që udhëtonte në autostradë. Demokratët dhe ndjekësit e tyre të çmendur, jo vetëm që kanë bërë thirrje për dhunë të neveritshme kundër presidentit Trump dhe familjes së tij, por janë duke ‘armatosur’ sistemin e drejtësisë kundër tij”, tha në një deklaratë zëdhënësi i fushatës së Trump, Steven Cheung.

Por ashpër reagoi zëdhënësi i fushatës së Biden për CNN, Michael Tyler. “Ky imazh nga Donald Trump janë budallallëqet që poston kur po bën thirrje për gjakderdhje. Trump po nxit rregullisht dhunë politike dhe ka ardhur koha që njerëzit ta marrin seriozisht. Mjafton të pyesni oficerët e policisë së Kapitol, që u sulmuan teksa mbronin demokracinë tonë më 6 Janar”.

Videoja në fjalë shënon një tjetër rast ku Trump përdor imazhe të errëta e të dhunshme në mesazhet e tij të fushatës në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Trump paralajmëroi më herët gjatë këtij muaji se në rast të humbjes së zgjedhjeve të 2024-s, do të ishte gjakderdhje për industrinë amerikane të makinave dhe vendin. Deklarata erdhi në një kohë kur Trump premtoi një “tarifë 100 %” për makinat e prodhuara jashtë SHBA, duke argumentuar se prodhuesit vendas të makinave do të ishin të mbrojtur vetëm nëse do të zgjidhej ai president.

Në dhjetor, ish-presidenti tha se emigrantët po “helmonin gjakun” e SHBA dhe citoi presidentin rus Vladimit Putin për të sulmuar Biden si një “kërcënim për demokracinë”. Në një tjetër rast Trump përdori fjalën “parazit” për të përshkruar rivalët e tij politikë, në një event fushate në New Hampshire në Nëntor, duke shkaktuar reagim të gjerë, përfshirë atë të Biden, i cili e përshkroi gjuhën e përdorur prej tij si ajo që dëgjoje në Gjermaninë naziste./tvklan.al