“100 milionë doza vaksine në 100 ditë për amerikanët”

Joe Biden nisi kthesën e kursit të pararendësit të tij Donald Tramp në menaxhimin e pandemisë me 10 urdhra ekzekutivë. Veç urdhrit për mbajtjen me detyrim të maskave për qytetarët amerikanë apo ruajtjen e distancës sociale, Biden bëri edhe një premtim tepër ambicion për 100 ditët e para për përshpejtimin e fushatës së vaksinimit.

“Plani ynë nis me fushatën e ashpër, të sigurtë dhe efektive të vaksinimit, për sigurimin e 100 milionë dozave në 100 ditët e para”, tha Biden.

Këtë, shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë tha se do e arrinte përmes mobilizimit të jashtëzakonshëm të industrisë amerikane në këtë drejtim. Pikëpyetje ngrihet mbi ndikimin që do të ketë ky urdhër në dozat që 2 firmat amerikane prodhojnë për pjesën tjetër të globit, si ndër të paktat që kanë marrë leje urgjente. Sipas Biden-it, situata do të përkeqësohet para se të nisë përmirësimi, pasi ai pret që muajin tjetër, numri i viktimave të arrijë gjysmë milioni.

Biden mbështet po ashtu një ndihmë të madhe ekonomike për pandeminë prej 1.9 trilionë dollarësh, për të cilin republikanët kanë rezerva pasi sipas tyre, shumica e ndihmës i shkon shteteve të qeverisura nga demokratët si Kalifornia për të ulur nivelin e borxhit e jo për zbutjen e dëmeve të pandemisë.

Këtë 24-orësh, Shtetet e Bashkuara shënuan shifrën e dytë më të lartë të viktimave pas rekordit ditorë të një dite më parë me mbi 4 300 raste. Shifra të larta viktimash u shënuan edhe në shumë vende të tjera të globit.

Tv Klan