Biden pranon përgjegjësinë për tërheqjen nga Afganistani: Qëndrimi më gjatë nuk ishte opsion


Biden pranon përgjegjësinë për tërheqjen nga Afganistani: Qëndrimi më gjatë nuk ishte opsion

22:12 31/08/2021

Kreu i Shtëpisë së Bardhë kërcënon ISIS-K: Kemi ende punë me ju

Presidenti amerikan ka marrë përgjegjësinë për tërheqjen nga Afganistani të të gjithë trupave ushtarake amerikane, personelit, bashkëpunëtorëve të SHBA dhe qytetarëve afganë që dëshironin të largoheshin.

Në një konferencë për shtyp pas përfundimit të misionit 20-vjeçar të SHBA në Afganistan, Biden tha se qëndrimi më i gjatë në atë shtet i forcave ushtarake amerikane nuk ishte një opsion.

Biden theksoi se edhe nëse evakuimet për largim do të kishin filluar më herët, në Qershor apo Korrik, prapë sipas tij do të krijohej rrëmujë në aeroportin e Kabulit, që do të kishte shkaktuar trazira.

“Sërish do të kishte qenë një mision i vështirë dhe i rrezikshëm”, tha ai.

Presidenti Biden vlerësoi procesin e evakuimit, duke thënë se asnjë shtet nuk do të kishte kapacitetin për të bërë diçka të tillë në kaq pak kohë.

“Përfunduam një nga transportimet më të mëdha ajrore në histori. Asnjë komb nuk ka bërë ndonjëherë diçka të tillë. Vetëm Shtetet e Bashkuara kishin kapacitetin, vullnetin dhe aftësinë për ta bërë atë. Operacioni nuk do të ishte i mundur pa aftësinë, trimërinë dhe guximin vetëmohues të trupave amerikane, diplomatëve dhe personelit të inteligjencës. Ata e bënë duke u përballur me një turmë të madhe njerëzish që kërkonin të largoheshin nga vendi, dhe e bënë duke e ditur që terroristët e ISIS-K, armiqtë e betuar të talebanëve, fshiheshin në mesin e turmave”.

Biden pranoi gjithashtu se ushtria afgane u mposht nga talebanët më shpejt se sa mendohej. Në Afganistan kanë mbetur edhe 100-200 shtetas amerikanë, të cilët kanë shtetësi të dyfishtë. Këta persona, tha Biden zgjodhën të mos largohen nga vendi, por premtoi se SHBA do t’i evakuojë nëse ata kërkojnë që të largohen.

Në fjalimin e tij përpara qytetarëve amerikanë, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se bota po ndryshon. Duke vlerësuar objektivat e përmbushur të SHBA në Afganistan, Biden tha se Bin Laden u vra, por bota po merr kërcënime nga Al-Shabab, degë e Al-Kaedës, dhe nga shteti islamik.

“I dhamë Bin Ladenit drejtësinë që meritonte para më shumë se 1 dekade. Al-Kaeda u shkatërrua. Nuk besoj se siguria e Amerikës është rritur duke vendosur qindra trupa ushtarake në terren dhe duke shpenzuar miliarda në Afganistan”, shprehet Biden duke shtuar se SHBA duhet të ndryshojë strategjinë. Dhe në këtë aspekt Presidenti amerikan përmendi sulmin me dron të pak ditëve më parë ndaj ISIS-K.

Ne goditëm nga distanca ISIS-K disa ditë më parë pasi ata vranë 13 nga ushtarët tanë dhe dhjetra afganë të pafajshëm. ISIS-K, kemi ende punë me ju”.  /tvklan.al






Të ngjashme