OSHEE: Në 1 Janar presim rrjetin për ata që marrin energji në 35 kv

Në datën 1 janar të vitit të ardhshëm janë mbi 90 biznese të mëdha që do të duhet ta sigurojnë vetë energjinë elektrike. Drejtori i Divizionit Tregtar në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elton Sevrani thotë se ligji përcakton që të gjithë subjektet që furnizohen në linjën 35 kilovolt duhet të dalin nga rrjeti i OSHEE-së dhe të lidhin kontrata me kompani private. Ai thotë se përjashtim nga prerja e linjave do të kenë vetëm 9 subjekte që janë ujësjellësa dhe spitale.

Deri në qershor të 2020 janë edhe 1100 biznese të tjera që furnizohen në rrjetin 20 kilovolt, të cilat do të jenë të detyruara të largohen nga marrja e energjisë nga OSHEE dhe ta sigurojnë vetë atë. Kompania OSHEE thotë se aktualisht janë 4 firma që sot ofrojnë furnizim me energji dhe se kjo reformë nuk do të prekë ecurinë e biznesit të kompanive që dalin nga rrjeti publik.

Kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike bën thirrje që bizneset të nisin që tani të lidhin kontratat për të siguruar energjinë në mënyrë që të mos ngelin pa këtë shërbim më 1 Janar 2020. Sipas të dhënave, janë 33 biznese që kanë arritur të dalin në treg të lirë dh eta gjejnë vetë energjinë elektrike, ndërsa mbeten edhe afro 50 të tjerë.

Tv Klan