Faqja më e madhe e shitjeve online Amazon është kritikuar rëndë për lejimin e shitjeve të kapeleve me shkrime raciste.

Alexandra Wilson një avokate nga Essex ka kritikuar rëndë kompaninë për shitjen e këtyre kapeleve të cilat mbanin si dizajn, shkrim me parullën “Black lives don’t matter” ose “Jeta e njerëzve me ngjyrë nuk ka rëndësi”. Ajo tha se është shumë e turpshme dhe pyeti se si një kompani si Amazon të mos ketë kontrollin e duhur për produktet e vendosura në faqen e saj.

Kapelet, perveç shkrimit racist që mbanin, ishin vënë nën përshkrimin si “kapele elegante” dhe “dhurata të këndshme për miqtë dhe familjen”. Një prej tyre kushtonte 12.96 £, e po ashtu përshkruhej si “me cilësi të lartë” me një dizajn “unik dhe në modë” dhe  “tërheqëse për syrin”.

Kapelet shiteshin nga një palë e tretë, mirëpo shumë njerëz e kishin raportuar dhe kishin kërkuar që ky material racist të hiqej menjëherë nga shitja.

Amazon, që nga reagimet ka hequr këtë produkt nga faqja, dhe doli me deklaratën: “Të gjithë shitësit duhet të ndjekin udhëzimet tona të shitjes dhe ata që nuk e bëjnë këtë do t’i nënshtrohen masave nga kompania, duke përfshirë bllokimin e llogarisë së tyre”

Edhe javën e kaluar Amazon u përball me kritika të ngjashme, pasi që një shitës me pakicë kishte nxjerrë në shitje bluza me parullën “Le të zhdukim Sindromën Down”./tvklan.al