Në fjalën e tij të parë si Ministër i Brendshëm, nga ceremonia ku mori stafetën e detyrës, Bledi Çuçi tha se dëshira dhe premtimi i tij është që të kuptohet siç duhet Ministria e Brendshme. Në të kundërt sipas Çuçit asnjë reformë në Policinë e Shtetit nuk do të ketë gravitetin e duhur.

Ai falënderoi ish-ministrin Sandër Lleshaj dhe tha se pavarësisht përpjekjeve të tij ende vijon të perceptohet tek publiku se Ministri i Brendshëm është ministër i policisë apo i rendit.

“Faleminderit Sandër dhe për vlerësimin. Në politikë është si në dramaturgji që vëmendjen e spektatorit nuk duhet ta marrë në mënyrën se si hyn aktori në skenë, por ka shumë rëndësi dalja nga skena e aktorit. Përveç shprehjes së angazhimit tim maksimal për të justifikuar besimin e dhënë nga kryeministri dhe nga grupi parlamentar dhe për të fituar besimin e publikut mbi të gjitha do doja të thoja vetëm një fjalë që në përfundim të mandatit tim do kisha dëshirë që publiku të thoshte që i mbaroi mandati ministrit të Brendshëm dhe jo ministrit të policisë apo ministrit të rendit. Gjë që për fat të keq mbetet një perceptim me gjithë përpjekjet shumë të madhe që bëri dhe Sandri për ta ndryshuar këtë mentalitet. Besoj fort dhe jam i bindur që po nuk u kuptua ky organizëm kaq i komplikuar Ministria e Brendshme, asnjë reformë qoftë në policinë e shtetit nuk do të ketë gravitetin e duhur. Kjo është dëshira ime dhe është një lloj premtimi im”, tha ai.

Bledi Çuçi zëvendëson në dikasterin e Punëve të Brendshme ish-ministrin Sandër Lleshaj, i cili disa ditë më parë dha dorëheqjen pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha. /tvklan.al