Gjashtëdhjetë e tre pinguinë afrikanë, të cilët janë të rrezikuar nga zhdukja janë vrarë nga një koloni bletësh gjatë një incidenti në Cape Town. Këta zogj që i përkasin një popullate të mbrojtur, u gjendën të ngordhur në breg, me pickime të shumta bletësh në trup dhe pa shenja të tjera dëmtimesh.

Ky është sulmi i parë i këtij lloji pasi zakonisht bletët dhe pinguinët bashkëjetojnë. Autoritetet e parkut mendojnë se bletët mund të jenë shqetësuar nga diçka dhe janë larguar nga kosheret, duke u bërë agresive. Fatkeqësisht, përpara tyre është gjendur tufa e pinguinëve.

Nga rezultatet e kontrollit, pinguinët ishin pickuar rreth syve dhe pendëve të notimit, të cilat janë zona që nuk mbulohen nga puplat. Lëkura rreth syve të tyre është aq e hollë dhe e ndjeshme, thuajse si ajo në gishtat e njeriut.

Njërit nga pinguinët iu gjetën 27 pickime në trup dhe duke gjykuar numrin, do të ishte e pamundur për secilin t’i mbijetonte një sulmi të tillë me përmasat trupore që kanë.

Gjithashtu, në skenën e përplasjes u gjendën edhe shumë bletë të ngordhura./tvklan.al