Brad Pitt ditët e fundit e ka gjetur veten në mes të një situate të çuditshme ligjore. Aktori i famshëm është akuzuar dhe paditur se ka mashtruar një grua dhe i ka marrë 40,000 dollarë, duke i premtuar se do të merrte pjesë në eventet e bamirësisë që do të organizonte ajo.

Kelli Christina, një grua nga Teksasi, ka ngritur padi kundrejt aktorit duke pretenduar se Pitt, 56 vjeç, i është afruar asaj në internet duke e përdorur fondacionin Make it Right dhe përveç planeve për biznes ata kanë krijuar një marrëdhënie romantike.

Sipas dokumenteve të dërguara në gjykatë nga Christina, thuhet se dyshja ishin shumë të afërt me njëri-tjetrin dhe madje kishin diskutuar edhe për martesë.

Sidoqoftë, ekipi ligjor i Pitt pretendon se Christina ka rënë viktimë e mashtruesve në internet që kanë përdorur emrin e Pitt për ta zhvatur. Avokatët e aktorit kanë ngritur një kërkesë për të hedhur poshtë padinë, duke deklaruar se Christina e ka ditur më parë që nuk po fliste me Brad Pitt-in e vërtetë.

“Nga pranimet e vetë Kristinës, komunikimet që ajo tani pretendon të ketë pasur me Z. Pitt…kanë qenë në të vërtëtë vetëm komunikime midis saj dhe një ose më shumë individëve që janë paraqitur si Brad Pitt.”

Sidoqoftë, Christina vazhdon të pohojë se Pitt i ka marrë paratë dhe e ka mashtruar atë, pasi që nuk është paraqitur në eventet e saj të bamirësisë ashtu siç ishin marrë vesh. Ajo në padinë e saj kundër aktorit ka kërkuar dëmshpërblim prej 100,000 dollarësh, për shkaktim të dëmit emocional.

Problemet në jetën e Brad Pitt duket se nuk kanë të mbaruar pasi që gjithë kjo histori, vjen në kohën kur beteja disa vjeçare e aktorit për kujdestarinë e fëmijëve me ish-gruan Angelina Jolie, po vazhdon./tvklan.al