“Kreditë në Lekë mbi 749 mld, rritje me 9 mld krahasuar me Janarin”

Stoku i depozitave në Shkurt në Euro arriti në 7.27 miliardë Euro, me një rënie prej 1.7% në krahasim me muajin e mëparshëm, ose 128 milionë Euro më pak, sipas Bankës së Shqipërisë. Ecuria negative është orientuar më shumë nga rënia e depozitave të bizneseve, por edhe individët që nuk kanë arritur të shtojnë paratë e kursyera.

Tkurrja në Shkurt të këtij viti erdhi nga rënia e depozitave të bizneseve (Korporata jofinanciare private), që u reduktua me 157 milionë Euro, ose 12.5% më pak.

Ndryshe nga stoku i depozitave, kreditë shënuan një rritje të konsiderueshme sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë. Siç vihet re në muajin Shkurt të 2024 kreditë në Lekë shënuan një total prej mbi 749 miliardë Lekë, rritje me 9 miliardë krahasuar me muajin Janar. Ndërsa krahasuar me 1 vit më parë rritja e kredive shkon në rreth 40 miliardë Lekë më shumë referuar raportit të Bankës së Shqipërisë.

Për shkak se inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie të shpejtë gjatë muajve Janar-Shkurt, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.25%.

Klan News