“Ekonomia shqiptare u rrit me 5.53% në 3 muajt e parë të 2021”

Përmirësimi i situatës se pandemisë dhe lehtësimi i masave kufizuese në mënyrë të veçantë  ecuria e mirë e procesit të vaksinimit sipas raportit 6 mujor të Bankës së Shqipërisë , bën të mundur që në këtë pjesë të parë të 2021 si në të gjithë globin edhe në Shqipëri të ketë një rigjallërim të ekonomisë.

Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë përvoja e kësaj periudhe, tregon se përshpejtimi i procesit të vaksinimit mbetet i rëndësishëm për të zbutur pasiguritë që ecuria e pandemisë ende ruan mbi zhvillimet e ardhshme ekonomike dhe financiare.

Në vlerësimin e tyre në 6 muaj e parë veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë u përmirësua ndjeshëm si dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme.

Ekonomia shqiptare u rrit ndjeshëm në tremujorin e parë të 2021 me 5.53%, familjet dhe bizneset vijuan të zgjerojnë kursimet e tyre, ndërsa në vlerësimin e përgjithshëm rreziqet për ekonominë shqiptare kanë qenë të kontrolluara gjatë periudhës.

Në raport nënvizohet se ka patur një rritje të çmimit të banesave me 6.7% në gjysmën e parë të këtij viti. Pavarësisht pasigurive të lidhura me pandeminë, agjentët dhe firmat e ndërtimit të anketuara, raportuan përmirësim të mëtejshëm të tregut.

Ky përmirësim, përveç rritjes së mëtejshme të çmimeve, dëshmohet edhe nga rënia e numrit të pronave të pashitura. Në perceptimin e aktorëve të tregut, kredia bankare ngelet një faktor i rëndësishëm në mbështetjen e kërkesës.

Tv Klan