“Bum bum bum në qafë”. Përgjimet e mafies shqiptare për vrasjen e dëshmitarëve në gjyq

“Bum bum bum në qafë”. Përgjimet e mafies shqiptare për vrasjen e dëshmitarëve në gjyq

10:49 03/04/2019

Përgjimet e autoriteteve greke kanë zbardhur të gjithë aktivitetin kriminal të mafies së burgut të Koridhalos në Greqi, ku kreu i kësaj organizate kriminale raportohet se është një i burgosur shqiptar. Përmes bashkëpunëtorëve të jashtëm, ai drejton organizatën nga brenda burgut.

Dy ditë më parë, në shtypin grek u publikua lajmi se shqiptari që drejton mafien e burgut të Koridhalos planifikonte vrasjen e dy dëshmitarëve në gjyqin për çështjen e avokatit Mixaleis Zafeiropoulos. Ky i fundit është vrarë në Tetor 2017 në zyrën e tij në mes të Athinës nga dy shqiptarë, Mikela Brahimas dhe Aleksandër Mata. Ky i fundit është në kërkim, ndërsa Brahimas i arrestuar. Urdhrin për vrasjen e avokatit Zafeiropoulos në vitin 2017 dyshohet ta ketë dhënë Arbër Bako, i cili u vra brenda burgut të Koridhalos më 14 Janar 2019.

Në përgjimet e publikuara së fundmi nga shtypi grek, dëgjohen bisedat mes shqiptarit që drejton mafien e burgut të Koridhalos dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, që mediat greke e cilësojnë si zëvendës shefi i mafies në burg.

Shefi i mafies:

Do t’i kemi gati, menjëherë do shkojmë të dy dhe bum bum bum i godasim në qafë.

Zëvendës shefi:

Po.

Shefi i mafies:

Je dakord?

Zëvendës shefi:

Po.

Dy drejtuesit e mafies së burgut të Koridhalos në Greqi kishin planifikuar të vrisnin Makis Voridis (avokat i familjes së avokatit të vrarë Zafeiropoulos) dhe Aristeidis Floros. Ky i fundit është dëshmitar kyç pasi edhe vetë ka pasur kontakte me të burgosurit shqiptarë të Koridhalos dhe ka qenë i përfshirë në tentativën e vrasjes së një avokati tjetër në vitin 2014. Aktualisht ai është në burg ku vuan dënimin me 21 vite. Aristeidis Floros është një biznesmen grek, që sipas mediave greke, ka dijeni për aktivitetin kriminal të mafies së burgut të Koridhalos, të përfshirë në vrasjen e avokatit Mixaleis Zafeiropoulos dhe tentativës për vrasjen e avokatit tjetër Giorgos Antonopoulos.

Në përgjimet telefonike të shqiptarit që drejton mafien e burgut kanë rënë edhe dy avokatë grekë, të cilët tashmë janë prapa hekurave. Sipas hetuesve, ata kanë qenë pjesë e kësaj organizate kriminale dhe ndihmonin të burgosurit shqiptarë në Koridhalo. Njëri nga avokatët është një grua 45-vjeçare, e cila bisedonte me shefin e mafies për planin e vrasjes së dy dëshmitarëve në gjyq dhe si të arratiseshin nga gjykata. Nuk është e qartë se kush do të kryente vrasjen e dy dëshmitarëve.

Avokatja:

Në gjykatë jam.

Shefi i mafies:

Ka polici?

Avokatja:

Jam këtu përpara dhe ka, më tutje jo. Nëse dua, unë mund të ngjitem. Ti e di sa e lehtë është që të largohesh nga këtu. Një shtëpi e vogël është, në të majtë një godinë tjetër. Në sallën më të mirë do jeni që të dilni direkt. Ngjitur janë edhe disa salla të tjera, në njërën prej të cilave është Floros (dëshmitari kyç).

Shefi i mafies:

Po dalja..

.

Avokatja:

Vetëm drejt dhe është dalja. Pastaj në të majtë dhe prej aty del me sekonda, ka vetëm një polic në të majtë.  

Vrasja e dëshmitarëve në gjyq do të bëhej me thika të improvizuara. Mjetet prerëse do të ishin të fshehura brenda dy stilolapsave, të cilat do të futeshin në sallën e gjyqit nga dy avokatët që bashkëpunonin me mafien e burgut të Koridhalos.

/tvklan.al

Të ngjashme
UKT