Arrest me burg për Kreshnik Tushën



Arrest me burg për Kreshnik Tushën

12:18 03/06/2020

Dyshohet se mori pjesë në vrasjen e dyfishtë në Laç

21-vjeçari Kreshnik Tusha ka mohuar qe të ketë lidhje me vrasjen Paulin Gjergjit dhe Bujar Likës, mbrëmjen e së shtunës në një hotel në Laç.

Megjithatë ai u la në burg pa afat i dyshuar si një nga autorët e vrasjes së dyfishtë në një hotel në Kurbin.

I riu është njohur me masën e sigurisë në ambientet e Spitalit të Traumës, pasi ka mbetur i plagosur në këmbë.

Nga ana tjetër hetuesit janë në pritje të përgjigjes së analizave të njollave të gjakut që janë gjetur në vendngjarje, për të bërë të mundur zbardhjen e atentatit. Ekzekutimi mafioz ndodhi mbrëmjen e 30 Majit 2020 në lokalin e një hoteli në autostradën Milot-Mamurras pranë fshatit Gjorm të Kurbinit.

Sipas hetimeve, referuar kamerave të sigurisë, shihen 4 persona që hyjnë në ambientet e hotelit ku qëndronin Paulin Gjergji dhe Bujar Lika dhe qëllojnë në drejtim të tyre. Ata mbanin te veshur uniforma policie dhe kanë hyrë në hotel duke bërtitur “mos lëvizni, policia”. Këtë version kanë dhënë edhe në dëshmitë e tyre edhe të afërmit e viktimave që kanë qenë në vendin e ngjarjes, në momentin e krimit.

Në momentin që ka ndodhur atentati, edhe njëri prej viktimave u është përgjigjur me armë. Pistoleta e tij u gjet me karikatorin e zbrazur. Shënjestra e atentatit dyshohet se ka qenë biznesmeni 37-vjeçari Bujar Lika, i njohur si një person me precedent penal. Po kështu po verifikohet edhe e kaluara e 53-vjeçarit Paulin Gjergji.

Tv Klan



Të ngjashme