Gazetarja e “Stop” ka udhëtuar në fshatin Grudë e Re, në Shkodër, Njësia Administrative Rrethinat. Në familjen e Mirash dhe Xhuljana Shytani, pas një viti e gjysmë që merrnin 57 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike, papritur iu është reduktuar me 30 mijë lekë. Ata tregojnë se autoritetet u kanë thënë se kanë marrë më tepër dhe duhet të kthejnë rreth 500 mijë lekë, pasi është shkaktuar dëm ekonomik. Bashkëshortët Shytani janë të sëmurë, njëri me zemër e tjetri me tumor në kokë dhe përfitojnë kemp.

Mirash Shytani: Ne kemi një vit e gjysmë që trajtohemi me ndihmë ekonomike. Kena ken me ndihmë ekonomike 57 mijë lekë, tani na kanë thënë se ‘kemp ke ti, kemp ka gruaja, jemi dy të sëmurë invalidë, nuk e përfiton asistencën. Një pjesë e ke marrë tepër, deri në shlyerjen e saj do t’i ndalim në kemp.’ Na me 250 mijë, vet i 5-ti në shtëpi, pa krah pune, pa asgjë, të dy të sëmurë, mosha më e madhe është vajza në klasë të gjashtë, 12 vjeçe, më i vogli 3 vjeç. Ne nuk kemi mundësi as për punë dhe për asgjë. Tashi kanë thanë se nga 57 e kanë ul në 27 dhe thonë 30-shen që jua kemi dhënë më tepër do t’jua mbajmë në kemp.

Gazetarja: Sa është vlera që juve ju takon tashmë t’i ktheni shtetit sepse ia paskeni marrë?

Mirash Shytani: 1 vit e gjysmë, nga 30 mijë lekë, i bie afër gjysmë milioni. 30 për qind e zemrës nuk punon, unë pi gjitha ato ilaçe.

Administratori shoqëror i njësisë Shalë, Martin Koceku thotë se është faji i sistemit, por dhe i tij, pasi kontrolli i njësisë administrative e ka nxjerrë këtë dosje me probleme.

Gazetarja: Për këtë rastin e Mirash Shytani, Xhuliana Shytani.

Administratori Shoqëror: Në Akt-kontrollin nga Drejtoria e Shërbimit Social, që ka vazhdu procedurat, se akoma nuk ka ardh akt-kontrolli përfundimtar, rezulton për këto familje, se ato se janë me kemp, paaftësi nuk marrin, nuk e përfitojnë ndihmën ekonomike.

Administratori Shoqëror: Ka pas probleme sistemi edhe gabimet tona normalisht, se nuk i kena çeku-e.

Administratori Shoqëror: Në qoftë se vjen, ata e hedhin në sistem dëmin ekonomik, për të gjithë edhe bahet ndalesa.

Gazetarja: Dëmin ekonomik, që ai s’ka patur lidhje fare?

Administratori Shoqëror: Dakord! Dakord!  Ai paret i ka marrë të paktën!

Gazetarja: Paret nuk i mori me dhunë!…

Administratori Shoqëror: Dakord! Kur të vijë akt-kontrolli përfundimtar…

Gazetarja: Pse nuk e paguan këtë dëm ekonomik, që nesër-pasnesër, do dalë vlera, personi, që e ka bërë, pse duhet ta paguajë qytetari?

Administratori Shoqëror: Shumë mirë! Dakord! Unë jam dakord! Shumë dakord!

Gazetarja: I bie, që ju ta paguani!

Administratori Shoqëror: Shumë mirë!  Pse mos ta paguaj?!

Duhet thënë që Administratori shoqëror i njësisë Shalë na gënjeu pak. Megjithatë, ne iu drejtuam Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social këtu në Shkodër, nga ku na u sqarua e gjithë situata e familjes Shytani.

Në zyrat e njësisë administrative thonë se ky rast as që është parë. Problemin mund ta ketë konstatuar vetë administratori dhe përgjegjësia është e tij.

Punonjësja: Nga kontrolli i Njësisë Administrative Shalë, Mirash Shytani, nuk ka lënë asnjë ndalesë. Nuk është pa si dosje, ose si rast.

Gazetarja: Po si ka mundësi, që nga 57 atij i është zbritur në 27 mijë lekë?

Punonjësja: Mund ta këtë konstatu vetë administratori, si rast.

Gazetarja: Po kush mban përgjegjësi për këtë gabimin?

Punonjësja: Administratori! Për gabimet e administratorit, mban përgjegjësi administratori.

Gazetarja: Kujt do t’i merren lekët?

Punonjësja: Administratorit!

Gazetarja: Administratorit Shoqëror?

Punonjësja: Po! Me mandat-arkëtimi madje!

Gazetarja: Pra nuk do të cenohet ky person?

Punonjësja: Familja,jo!

/tvklan.al