By Passi i Vlorës u hap sot për të gjithë qytetarët që udhëtojnë drejt bregdetit të Jugut. Ky By Pass është parashikuar që të lehtësojë trafikun.

Në zonë kanë qenë të pranishëm sonte ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, e shoqëruar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Ministrja Balluku, në një lidhje direkt për Tv Klan, tha se By Passi është tashmë i hapur për të gjithë përdoruesit e rrugës, me përjashtim të mjeteve të tonazhit të rëndë. Teksa punimet në këtë segment nuk kanë përfunduar tërësisht, ministrja siguroi se kantieri i punimeve do të vijojë paralelisht në zona të caktuara.

Drini Zeqo: Cilat janë lehtësirat që do të përfitojnë qytetarët?

Belinda Balluku: Jam së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliun. Ka qenë një bashkëpunim shumë i ngushtë i ditëve të fundit përsa i përket vlerësimit të sigurisë rrugore në këtë aks. By Passi tashmë është i aksesueshëm. Mediat kanë ndjekur të gjithë procesin se si kemi nisur nga Maji i vitit 2019 e deri më sot, se si kemi progresuar në këtë gjeologji mjaft të vështirë, pasi herë pas here ne kemi informuar dhe publikun për shkak të rëshqitjeve, kavitetit që kishte herë pas here gjeologjia në këtë zonë dhe të gjitha punëve që ne kemi kryer. Megjithatë, tashëm By Passi është i aksesueshëm. Mbrëmë kemi bërë një simulim të trafikut duke e përshkuar në një formë të një prove gjenerale. Dhe duke respektuar të gjitha tabelat e shpejtësisë. Duke qenë në çdo në rregull me rregullat e qarkullimit kemi arritur ta përshkuajmë për rreth 18-20 minuta.

Drini Zeqo: Kur pritet që të finalizohet tërësisht ky By Pass? Sa kohë mund të marrë ky proces?

Belinda Balluku: Në rast se deri më sot qytetarët përshkonin të gjithë zonën nga dalja e Orikumit, në Radhimë pastaj Vlorën dhe daljen e Vlorës, sot qytetarët do të lidhen direkt nga dalja e autostradës Vlorë-Levan dhe do të lidhen direkt me By Passin për të përshkuar qytetin e Vlorës dhe të gjitha zonat e tjera siç është Radhima apo Orikumi dhe duke u lidhur direkt me daljen në Llogara. Punimet do të vazhdojnë, asgjë nuk do të ndryshojë, kantieret do të vazhdojnë në të gjitha pikat ku kemi, do vazhdojë të punohet siç është ura e Kaninës, pra ura numër 3 apo dhe pjesë të tjera ku sot punohet për stabilizimin e skarpateve dhe ne shpresojmë që në përfundim të Vjeshtës, pra jo më vonë se Nëntori i këtij viti. I gjithë By Passi i Vlorës të jetë i përfunduar, por siç e thashë tashmë është i aksesueshëm, të gjithë qytetarët mund të lëvizin.

Ndërsa Ardi Veliu u shpreh se rruga do të monitorohet gjatë gjithë kohës nga Policia Rrugore dhe u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të zbatojë sinjalistikën e vendosur.

Drini Zeqo: Si do ta mbikëqyrë dhe policia, e cila do të jetë në terren për të mbarëvajtur situatën. Dihet që fluksi është shumë i shtuar. Ne dhamë një lajm që nuk do të lejohen mjetet e tonazhit të lartë. Ndonjë detaj më shumë si do të mbikëqyret gjithë ky kulm i lëvizjeve të sezonit turistik?

Ardi Veliu: Drejtoria Rrugore në bashkëpunim me ARRSH kanë bërë një studim të mirëfilltë të gjithë sinjalistikës së nevojshme për këtë aks rrugor dhe është kompletuar me gjithë sinjalistikën e nevojshme duke qenë se është edhe një kantier me një sinjalistikë provizore e fokusuar në të gjithë elementët e nevojshëm të një sinjalistike, duke filluar nga ajo vertikale, horizontale, sinjalistikë informuese e kompletuar edhe me dy pika semaforësh të cilat do të bëjnë rregullimin e trafikut në ato dy segmente ku nuk ka përfunduar ende trupi i rrugës por është i diktuar për një lëvizje apo shmangie të vogël. Gjithë sinjalistika është e kompletuar tashmë dhe është e mbështetur edhe me shërbime të Policisë Rrugore. Do të mbështetet 24 orë me shërbimin e Policisë Rrugore, do të ketë patrulla të lëvizshme dhe të mbështetura me teknologjinë që tashmë ka policia rrugore.

Drini Zeqo: Përfitojmë nga ky çast për të bërë më shumë apel për të udhëtuar me kujdes, për të respektuar gjithë sinjalistikën dhe shpejtësinë.

Ardi Veliu: Vetë rruga është shumë panoramike dhe mund të jetë një shkujdesje më shumë për të gjithë përdoruesit e rrugës që mund të devijojnë, dhe unë do të përfitoja nga rasti t’u bëj thirrje gjithë përdoruesve të rrugës të jenë të vëmendshëm, të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë këtë sinjalistikë që ne kemi kompletuar.  

/tvklan.al