Rotacioni politik është objektivi i opozitës së bashkuar, e cila e sheh Reformën Zgjedhore si mundësinë e krijimit të kushteve për zgjedhje të lira dhe të barabarta.

Flamur Noka: Ndaj dhe Reforma Zgjedhore që do propozohet nga ana jonë, do të ketë synim një Reformë Zgjedhore që do krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të barabarta dhe do të mundësojë rotacionin.

Në një kohë ku opozita i ka gati edhe propozimet e saj për këtë reformë, për të cilën është ulur në tryezën e dialogut me maxhorancën, nënkryetari i demokratëve Oerd Bylykbashi thotë se çështje kryesore mbetet rikthimi i koalicioneve parazgjedhore. Një praktikë ligjore e sanksionuar në kod në vitet 2003-2008, kur ekzistonin të dyja format e  koalicioneve; me listë të përbërë dhe listë të përbashkët.

Oerd Bylykbashi: Praktikisht çdo parti e koalicionit të ketë të drejtën të ketë emrin e saj në fletën e votimit, qartazi të dukshëm, kutinë e saj për të votuar, të mbledhë ajo votat që i takon dhe nëpërmjet asaj vote, çdo parti e koalicionit të ketë mundësi të marrë mandatin.

Prioritet i paketës së opozitës për Reformën Zgjedhore janë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe marrëveshja e 5 Qershorit të vitit 2020. Pjesë e propozimeve të opozitës janë edhe votimi i detyrueshëm, barazia e votës, listat e hapura, vota e emigrantëve, si dhe cilësimi i krimeve elektorale si vepra të rënda penale.

Tv Klan