“Ju bëjnë thirrje qytetarëve shqiptarë, për sigurinë e tyre të armatosen, për të mbrojtur veten sepse nuk kanë asnjë siguri. Po po, të armatosen se armatoset dhe amerikani. Dhe me urgjencë të sjellin ligjin”.

Kjo deklaratë e ish-kryeministrit Berisha në seancën plenare të së enjtes i ka kushtuar atij përjashtimin nga punimet parlamentare për 10 ditë. E mbledhur këtë mesditë, Byroja Parlamentare pranoi kërkesën e mazhorancës për ndëshkimin e ish-kryeministrit.

Në një mbledhje që zgjati thuajse 60 minuta, Byroja vendosi të marrë masën ndëshkuese më të lartë duke e konsideruar deklaratën e tij si thirrje për vepra të dhunëshme, në dëm të rendit kushtetues. Për anëtarët demokratë të byrojë, ky vendim është hakmarrje për denoncimin e bërë nga Berisha për kanosjen e Emiljano Shullazit, ndaj kandidatit për rektor Mynyr Koni.

Ndërsa për socialistët vendimi i byrosë ishte i drejtë.

Jashtë sallës së seancave plenare, ish-kryeministri sqaroi deklaratën e bërë prej tij se në kushtet e një pasigurie fizike për jetën dhe pronën, qytetarëve duhet t’iu jepej mundësia, nëpërmjet një ligji, që ashtu si në shtetet e bashkuara tëb amerikës të pajiseshin me arme.

Tv Klan