Vetëm një ditë pas pezullimit të shefit të Komisariatit nr.1, për një ndërtim pa leje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, paralajmëroi efektivët e policisë se rrezikojnë vendin e punës nëse neglizhojnë ndërtimet pa leje, zjarrvënien e pyjeve, pushtimin e tokës e krime të tilla të ngjashme.

“Vihet re një neglizhencë në evidentimin, hetimin dhe goditjen e fenomenit të veprave penale që cenojnë regjimin juridik të tokës të tilla si ndërtimet e paligjshme, pushtimet e tokës, pronës si publike dhe private, ambienteve publike etj. Rasti i fundit i ditës së djeshme në Tirane tek Parku i Liqenit.”

Çako njoftoi se kjo kategori krimesh do të përfshihen në një plan masash të ngjashëm me atë me të cilin po punohet për parandalimin e kultivimit të kanabisit.

“Duke filluar që sot për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit lufta kundër paligjshmërisë në territor, për veprat penale të mësipërme do trajtohen nga Policia e Shtetit njësoj si po parandalohet dhe goditet fenomeni i kultivimit të lëndëve narkotike.  Edhe në këtë rast qëndrimi në punë do të vlerësohet nga kontrolli mbi këtë territor dhe në rastin më të keq edhe marrja në përgjegjësi penale.”

 Më tej Çako iu kërkoi vartësve të punojnë për konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga aktivitetet e trafikut të drogës e krimit të organizuar dhe të godasin grupet kriminale, duke përdorur edhe metodat speciale të hetimit./Tv Klan