Shpërthimi i variantit ‘Delta’, Anglia luan pa tifozë

Kualifikimi në çerekfinalet e Euro 2020 duket se nuk është pritur mirë nga tifozët britanikë. Ndeshja e radhës për kombëtaren e ‘TreLuanëve’ do të zhvillohet në stadiumin ‘Olimpico’ të Romës ku përballë do gjejnë Ukrainën. Një ndeshje që shikon favorite skuadrën e Southgejt, gjithsesi diçka do iu mungojë, pasi nuk do kenë asnjë tifozë të tyre në shkallët e stadiumit. Lajmi u njoftua nga Këshilltari i Shëndetit të Rajonit të Lazios, Alesio D’Amato.

“Është arsyeja e pandemisë dhe shpërthimi i variantit Delta. Urdhëresa për një karantinë 5-ditore për ata që vijnë nga Britania e Madhe duhet të respektohet”.

Pasi ka luajtur katër ndeshjet e para në Wembley para tifozëve të tyre, Anglia tani do të luajë për kalimin në gjysmëfinale të Euro 2020 në Romë dhe do ta bëjë këtë pa kontributin e audiencës së tyre, thelbësore në fitoren kundër Gjermanisë. Llogaritë janë që nëse një tifoz niset tani, izolimi do zgjasë përtej datës 3 korrik, kur luhet edhe ndeshja.

16 mijë spektatorë do të pranohen në Olimpiko. 68% e biletave janë shitur tashmë përpara se të dinë kush ishin dy pretendentët, ndërsa 32% e mbetur u ndanë pas rezultatit të raundit të 1/8-ave midis federatave të Ukrainës dhe Anglisë. Të dyja do të marrin 2.500 bileta, të cilat rrezikojnë të mbeten të pa shitura në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të pamundësisë për të përmbushur karantinën. Në këtë pikë duket e mundshme që ata bileta do t’u shiten banorëve britanikë në Itali. 

Klan News