Detaje nga ngjarja e rëndë në Kombinat: 30-vjeçarja kishte muaj që kishte vdekur, nëna dhe motra prisnin ringjalljen e saj

Mënyra sesi 30-vjeçarja Anisa Josifi ka vdekur ende nuk dihet saktësisht, por e sigurt është se ajo nuk vdiq mbrëmjen e së enjtes. Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se Anisa kishte muaj që kishte vdekur. Nëna e saj Zhaneta Josifi së bashku me motrën e madhe Blerta, e lyenin trupin e së ndjerës me vaj e uthull që të mos dekompozohej.

Këto janë disa prej detajeve të deritanishme për ngjarjen e rëndë që tronditi një natë më parë kryeqytetin, por dhe mbarë opinionin publik. Vëllai i 56-vjeçares Zhaneta Josifi u detyrua të njoftonte policinë, kur kjo e fundit nuk iu përgjigj në telefon dhe nuk i hapi derën e apartamentit ku jetonte, në zonën e Kombinatit. Zjarrfikësit u futën në banesë nga dritarja e tualetit. Aty ata gjetën të vdekur Zhanetën, ndërsa vajza e madhe Blerta ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërsa trupi i Anisës u gjet në dhomë, e mbuluar me batanije e jorgan.

Blerta u dërgua me urgjencë në spital dhe sot ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjendja e saj shëndetësore është përmirësuar, por 34-vjeçarja ndodhet ende nën kujdes mjekësor në Shërbimin e Urgjencës.

Deri më tani, dyshimet janë se Zhaneta Josifi bashkë me të bijat ishin mbyllur në shtëpi dhe ishin vetëflijuar me idenë se do të ringjalleshin, pasi ishin predikuese të Dëshmitarëve të Jehovait. Të dyja vajzat ishin të kequshqyera, pasi dyshohet se kishin qëndruar pa ngrënë prej kohësh.

Zhaneta Josifi punonte si sanitare, ndërsa vajzat kishin përfunduar shkollën, por ishin të papuna.

Jashtë kamerave, kunati i 56-vjeçares tregoi se kishte rreth 1 vit pa e takuar Anisën. Ai tha se sa herë shkonte në shtëpinë e tyre, Zhaneta dhe Blerta i thonin se nuk e kishte mbushur afatin për të dalë dhe nëse e shikonte mbesën, atëherë Anisën e ndëshkonte Zoti. Ai tregoi gjithashtu se familja Josifi ishte praktikante e sektit Dëshmitarët e Jehovait prej shumë vitesh. Sipas tij, kontaktin e parë me këtë sekt e kishin pasur në Përmet, ndërsa në Tiranë ato frekuentonin një qendër në zonën e Selvisë./tvklan.al

Gazetare: Aida Topalli, Klan Plus