COVID-19 në rajonit… Tregtia elektronike në rritje, turizmi në rënie


COVID-19 në rajonit… Tregtia elektronike në rritje, turizmi në rënie

08:40 02/08/2020

Pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), përveç shkaktimit të një krize shëndetësore, po ashtu ka ndikuar në sjelljen e njerëzve dhe zakoneve të tyre të përditshme, me çka ka shkaktuar edhe ndryshime në ekonomi.

Në këtë kontekst, sektorë të caktuar në ekonomi po pësojnë humbje, ndërsa nga ana tjetër, disa sektorë po shënojnë rritje.

Kriza e shkaktuar nga COVID-19, në botë, por edhe në vendet e rajonit, ka prekur më së shumti sektorin e turizmit, si dhe sektorë të tjerë që lidhen me turizmin, respektivisht hotelierinë, zanatet dhe transportin, por edhe investimet në ndërtimtari dhe në projekte të tjera të shumta, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Nga ana tjetër, ajo që bie në sy në kontekstin e ndryshimeve në ekonomi është rritja e tregtisë elektronike, pra shitjet në internet gjatë pandemisë. 

Rritje e tregtisë elektronike në Maqedoninë e Veriut

Përderisa shumica e sektorëve në ekonomi po kalojnë humbje dhe po luftojnë për të mbijetuar shkaku i krizës së shkaktuar nga koronavirusi, Maqedonia e Veriut ka shënuar rritje të tregtisë elektronike.

Analiza e Shoqatës për Tregti Elektronike tregon se qytetarët e Maqedonisë së Veriut në tre muajt e parë të këtij viti në tregtinë elektronike kanë shpenzuar gjithsej 28,9 milionë euro dhe vetëm në muajin mars 10,1 milionë euro.

Kjo paraqet një rritje prej 17,9 milionë eurosh (61,5 për qind) në krahasim me periudhën e tre muajve të parë të vitit 2019. Të dhënat tregojnë se tregtia elektronike në mars të këtij viti u rrit me 99 për qind në krahasim me marsin e vitit të kaluar.

Pandemia e koronavirusit ka ndryshuar zakonet e blerësve vendas, të cilat pjesën më të madhe të blerjeve të tyre në internet e kanë zhvendosur në tregtinë elektronike vendase në vend të asaj të huaj. Implikimet për këtë natyrisht janë mbyllja e kufijve dhe kompleksiteti që është shfaur me vonesa në shpërndarjen e produkteve të blera nga jashtë, si dhe frika e porositjes së produkteve me origjinë kryesisht nga vendet që ishin të infektuara me virusin COVID-19.

Sipas analizës, 59,4 për qind e transaksioneve me kartat e pagesave u realizuan në tregtinë online në vend, ndërsa 40,6 për qind e transaksioneve u realizuan në tregtinë online jashtë vendit. 

– Sektori i turizmit më i prekuri nga pandemia COVID-19

Në Maqedoninë e Veriut është kryer një studim mbi efektet e shkaktuara nga COVID-19 në sektorin e turizmit dhe hotelierisë me rekomandime për trajtimin e efektve ekonomike. Hulumtimi u krye nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, Oda Ekonomike e Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit – MASIT dhe Shoqata e Odave të Tregtisë së Maqedonisë.

Studimi tregon se në periudhën gusht-shtator në mënyrë masive po anulohen aranzhmanet, ndërkohë që ka edhe rënie drastike të numrit të turistëve të huaj në vend.

Shumicës së kompanive të turizmit dhe hotelierisë do t’u duhej të paktën gjashtë muaj deri në një vit për t’u rikuperuar nëse pandemia COVID-19 përfundon deri në fund të vitit.

Studimi parashikon dy skenarë. Sipas skenarit të parë, nëse kriza përfundon deri në fund të këtij viti, në varësi të efektit të masave që do të merren, nga puna do të pushoheshin 2 deri në 12 mijë persona, ndërsa rënia e turizmit do të jetë afër 200 milionë dollarë ose mbi 50 për qind e parashikimeve të planifikuara dhe në bazë të kësaj, rikuperimi nga kriza do të ndodhte në vitin 2023.

Sipas skenarit të dytë, nëse kriza vazhdon pas vitit 2020, 4 mijë deri në 20 mijë vende pune do të humben, rënia do të jetë mbi 80 për qind dhe rikuperimi do të pritet në vitin 2027.

Pothuajse 100 për qind e hoteleve kanë anuluar rezervimet për muajin prill, maj dhe qershor, ndërsa për muajin korrik ka anulime në rezervime grupore tek 89 për qind e hoteleve, për muajin gusht tek 69 për qind e hoteleve, për muajin shtator tek 50 për qind e hoteleve, ndërkohë që anulime ka edhe për muajin dhjetor të këtij viti, si dhe janar të vitit 2021.

Me qëllim për të përmirësuar situatën në sektorin e turizmit, studimi thekson se është e nevojshme të stimulohet turizmi i brendshëm, duke prezantuar aranzhime të veçanta të subvencionuara dhe duke zhvilluar një fushatë të fortë për të inkurajuar turizmin vendas.

Nga kriza e shkaktuar nga COVID-19, artizanët po ashtu janë të prekur, situata reale pasqyron situatën në terren. Një nga vendet më të vizituara nga turistët që vijnë në Shkup është Çarshia e Vjetër e këtij qyteti, ku zejtarët thonë se tashmë disa muaj kanë qenë në skaj të mbijetesës dhe se në këtë mënyrë mund të mbahen vetëm edhe një muaj e gjysëm. Më vonë, nëse nuk ndryshon situata, ata thonë se do të detyrohen t’i mbyllin dyqanet e tyre, siç kanë bërë tashmë shumica e dyqaneve të çarshisë.

Të dhënat nga Zyra e Statistikave Shtetërore tregojnë se numri i turistëve ka rënë ndjeshëm. Në maj të këtij viti, 838 turistë vizituan vendin, shifër e cila është 99,2 për qind më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 

Shitjet e pasurive të patundshme shënojnë ulje, çmimi mbetet i pandryshuar

Koronavirusi po ashtu ka reduktuar shitjet e pasurive të patundshme, por çmimet mbeten të pandryshuara. Për shkak të krizës, kryesisht blehen ndërtesa banimi dhe qiraja është ulur në minimum.

Sipas agjencive të pasurive të patundshme në Shkup, tregu po lëviz pas një pushimi dymujor për shkak të krizës së shkaktuar nga COVID-19, por lëvizja është e dukshme vetëm në shitjen e apartamenteve, ku nuk ka ndryshime të çmimeve.

Interesi për marrjen me qira të apartmenteve është ulur, ndërkohë, shitja dhe marrja me qira e shtëpive pothuajse nuk ekziston.

Shqipëria vetëm me 20 për qind të numrit të përgjithshëm të parashikuar të turistëve

Dëmi ekonomik i shkaktuar nga pandemia COVID-19 që vërehet kryesisht nga një rënie e kërkesës, që nuk ka konsumatorë që të blejnë mallrat dhe shërbimet në dispozicion në ekonominë globale, është reflektuar edhe në Shqipëri.

Një nga sektorët më të goditur është turizmi, që këtë vit ka mungesën e e turistëve të huaj, krahasuar me vitet e kaluara.

Sipas Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike, në Shqipëri këtë sezon veror ka vetëm 20 për qind të totalit të turistëve që parashikohej në kohë normale dhe kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit.

Gjatë masave kundër pandemisë, aktivitetin ndaluan shumë biznese dhe nisur nga kjo situatë, u shtuan shitjet online në disa sektorë.

Ndërkohë, sipas një raporti zyrtar të Bankës së Shqipërisë, emergjenca shëndetësore e shkaktuar nga përhapja e COVID-19 dhe masat e autoriteteve publike për kontrollin e saj, në Shqipëri përbëjnë një sfidë për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit, për financat e bizneseve dhe familjeve, si dhe për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike të vendit, në afatin e mesëm dhe të gjatë.

Nisur nga kjo situatë, sipas institucioneve finaciare, goditja e dyfishtë, e kërkesës dhe ofertës, do të pasqyrohet në rënie të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2020, e shoqëruar me rënie të punësimit, rritje të papunësisë, rënie të të ardhurave familjare dhe vështirësi financiare për bizneset.

Pandemia përkeqëson situatën ekonomike në Kosovë

Masat e zbatuara për të parandaluar përhapjen e koronavirusit kanë ndikuar shumë në situatën, e cila edhe në kushte normale nuk ishte e mirë sa duhet.

Pasojat e pandemisë i pësojnë kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht sektori i gastronomisë dhe pasuritë e patundshme. Vetëm farmacitë dhe dyqanet ushqimore kanë qenë të hapura gjatë gjithë kohës, por fuqia blerëse e qytetarëve është ulur, si për shkak të pagave të ulura, ashtu edhe për shkak të largimit nga puna.

Sipas të dhënave të Shërbimit Tatimor, 320 mijë punëtorë janë të punësuar në Kosovë, nga të cilët 85 mijë janë në sektorin publik. Sipas parashikimeve të qeverisë, për shkak të pandemisë, rreth 100 mijë punëtorë në sektorin privat mund të humbin punën e tyre.

Një studim nga Oda Ekonomike e Kosovës në prill të këtij viti tregon se thuajse 92 për qind e kompanive theksuan se shitjet kanë rënë si rezultat i krizës. Prej tyre, 22 për qind shprehen se shitjet janë ulur me mbi 50 për qind. Mbi 80 për qind e kompanive të anketuara nga të gjithë sektorët shënuan rënie të shitjeve. Shitjet në sektorin e ndërtimit te 70 për qind e kompanive të anketuara kanë rënë për 50 për qind. Rreth 60 për qind e kompanive në sektorë të tjerë gjithashtu raportojnë rënie të shitjeve prej më shumë se 50 për qind.

Sektori i gastronomisë ose HoReCa, i cili është shkurtesë e “Hotel, Restaurants dhe Catering”, kanë pasur humbje të mëdha për shkak të masave të vendosura për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Sipas hulumtimit të bërë me kërkesë të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, vlerësohet se humbjet janë domethënëse për sektorin drejtpërdrejt, por edhe për sektorët e tjerë që janë në një farë mënyre janë të lidhur me këtë sektor. Forma e vetme e lejuar e aktivitetit ka qenë sigurimi i ushqimit me dërgesë, i cili solli qarkullim simbolik të parave.

Hulumtimi tregoi se 67,8 për qind e bizneseve gastronomike kanë pasur rënie prej 100 për qind të qarkullimit të tyre mujor në krahasim me vitin 2019, ndërsa kategoria më e prekur janë punëtorët e tyre. 52,9 për qind e bizneseve theksuan se kanë qenë të detyruar të pushonin nga puna të gjithë punëtorët.

75,9 për qind e kompanive të anketuara që kanë kredi për të rritur kapacitetin e kompanive, në fund të muajit nuk kanë pasur mjete të mjaftueshme për të paguar këstin e kredisë, për shkak të mbylljes së përkohshme të kompanive dhe mungesës së likuiditetit. /AA




Të ngjashme