Vangjush Dako, kryetari i Bashkisë së Durrësit iu përgjigj në emisionin “Opinion” përgjimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, një pjesë e të cilave u publikuan ekskluzivisht nga Tv Klan. Biseda e parë mban datën 27 Qershor 2017, dy ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme, ku Dako telefonon një person me pseudonimin “Niçja”.

BISEDA 1

Niçja: Hë kryetar, hë vllai.

0692099300: Niçe, ku je?

Niçja: Këtu vërdallë…

0692099300: Ku është Astriti?

Niçja: Ka lëviz një çikë.

0692099300: Ku ka lëviz? Jashtë Durrësit?

Niçja: Eh… ca ka? Ka ndonjë gjë?

0692099300: Po jo mo, doja ta takojsha, ta falenderojsha, ta pyesja një çikë.

Niçja: Po, po ku je ti? Të vij të të takoj…

Njësoj është, si ai si unë, e di që jemi një

0692099300: Po mirë mo mirë, por doja ta takoja…kanë pi ato.

Niçja: Po, e di po, kanë lëviz… Me të taku një çikë unë ty!

0692099300: Unë tani jam duke ardh nga… rrugës… rrugës…

Kryebashkiaku i Durrësit tha se e njihte Niçen, të identifikuar nga prokuroria si Altin Avdyli dhe vëllain e tij.

“Niçja është një qytetar i Durrësit, nga ky grupi që është kapur, me të cilin kam folur në çdo fushatë. Mbaron takimi elektoral, falenderoj: Blendi faleminderit për njerëzit që solle në takim. Tjetrin: Faleminderit që erdhe në takim. Pas çdo fushate ne shtrojmë dreka, shtrojmë darka përballë fitores, falenderojmë njerëz, kjo është politika”.

Kush është Astriti?

“Astriti është vëllai i Niçes”.

“Ia hap telefonin çdolloj qytetari të Durrësit, mund të ma kalojë Edi Rama për SMS, por për të folur në telefon s’ka bir k***e të ma kalojë në telefon, me aq komunikime që unë bëj me qytetarët”.

Pjesë e përgjimeve të prokurorisë është një tjetër bisedë e zhvilluar mes një personi të paidentifikuar dhe Niçes më 24 Qershor, një ditë para zgjedhjeve.

BISEDA 2

Niçja: Të marr unë se jam me rob pra…

Alo, ça po bën?

Niçja: Të marr unë se jam me rob të thashë!

Ku je? Je andej nga fshatrat, ku ishe?

Jo! Jo! Jo!

Kam ca me mbiemër Kurti, kam zonjën këtu… … po deshe…

Niçja: …mirë…

6 veta janë!

Niçja: Hajt se të marr unë!

Thuaj Vangjushit t’i japim ndonjë lek, që të ..tojnë (nuk kuptohet)!

Për këtë përgjim, Vangjush Dako tha se biseda të tilla në fushatë janë normale, pasi shumë njerëz vetëofrohen për të dhënë votën në këmbim të  parave.

“Po mua më vijnë në zyrë ditën e votimit, më thonë o kryetar a do më japësh ndonjë lekë. Këto janë probleme shqiptarësh…”

Dako i dha përgjigje edhe një tjetër transkripti, pjesë e dosjes së prokurorisë e publikuar nga ish-kryeministri Berisha.

“Mua më njohin njerëzit për akullore, unë jam akullore. I shikon këto duar ti, janë akullore këto. Nuk kanë prekur këto, as drogë, as pistoleta, as lekë të pisëta. Flas me atë, ulem në tavolinë, pi një kafe iki…”

Po pse më ça je ti, superman-i?

“Superman jam, po më superman jam, po ta them, unë në fushatë jam Superman”.

Dako tha se nuk do të japë dorëheqjen edhe nëse do të vihet nën hetim nga prokuroria, ndërsa i pyetur për një mandat tjetër tha se nuk ishte lodhur, por e shihte veten edhe në një tjetër pozicion.

Tv Klan