Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë thënë të shtunën se ende vazhdojnë të ekzistojnë dallime të mëdha në bisedimet pas Brexitit, mirëpo do të vazhdojnë përpjekjet për të arritur marrëveshje në afat.

Britania e Madhe është larguar nga blloku evropian në fillim të këtij viti.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë pas një bisede telefonike me kryeministrin britanik, Boris Johnson se dallimet janë “të mëdha” derisa Johnson i ka përshkruar ato “të rëndësishme”, transmeton AFP.

Pavarësisht një vargu bisedimesh, duke përfshirë edhe takime “intensive” për dy javë, që përfunduan të mërkurën, të dy liderët kanë thënë se ende janë të ndarë për çështje kyçe, duke përfshirë sektorin e peshkimit dhe mekanizmat që garantojnë konkurrencë të drejtë në mes të kompanive britanike dhe atyre evropiane.

“Pak përparim është shënuar, mirëpo dallimet e mëdha vazhdojnë të ekzistojnë sa i përket peshkimit. Ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë shumë javën e ardhshme”, ka thënë von der Leyen.

Johnson ka thënë se ekipet negociatore do të mblidhen sërish në Londër të hënën “në mënyrë që të dyfishojnë përpjekjet për të arritur marrëveshje”, bazuar në një zëdhënës të kryeministrisë.

Të dy liderët kanë thënë se kanë gatishmëri për të arritur marrëveshje para se të përfundojë periudha tranzitore e Brexitit më 31 dhjetor.

Para këtij afati, do të duhen edhe disa javë për të arritur marrëveshje, e cila duhet të ratifikohet nga të dyja palët.

Ka mundësi që nëse marrëveshja nuk arrihet deri në mesin e muajit nëntor, të mos arrihet fare.

Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​/REL