Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, u ka bërë thirrje deputetëve të të gjitha krahëve që të bashkuar të përcaktojnë të ardhmen e qytetarëve drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, të votojnë ndryshimin e Kushtetutës sipas bindjes së tyre dhe, ka thënë ai, në pajtim me vullnetin e qytetarëve, pa iu nënshtruar kurrfarë presioni.

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë:

Kjo iniciativë ngrihet në pajtim me ligjet dhe procedurat institucionale. Deputetët janë ata që duhet ta përcaktojnë të ardhmen e qytetarëve drejt NATO-s dhe BE-së dhe të prononcohen sipas vullnetit të tyre. Tani ka ardhur koha që të gjithë ata që janë për në NATO dhe në BE të përkrahin ndryshimet.

Ndërkaq, ish-kreu i Parlamentit, Trajko Veljanovski, aktualisht deputet i VMRO-DPMNE-së, ka tërhequr vërejtjen se në Kuvend nuk ekziston shumica prej dy të tretave për miratimin e amendamenteve të propozuara nga Qeveria Zaev.

Sipas tij, Marrëveshja me Greqinë është e dëmshme, e jashtëligjshme dhe kundërkushtetuese.

Trajko Veljanovski, ish-kryetar i parlamentit të Maqedonisë:

Vullneti i shumicës së popullit që u shpreh përmes mosdaljes në referendum është imperativ për çdo deputet. Nuk kam mandat ta ndryshoj Kushtetutën, pasi është në kundërshtim me vendimin në referendum.

Mbledhja e Komisionit Kushtetues vazhdon, paralelisht me angazhimet e aktorëve kryesorë të politikës për arritjen e një konsensui mes palëve që nënkupton edhe kompromisin. Cili ka për të qenë ai – amortizimi i ndjekjes ligjore të eksponentëve të lartë të VMRO-DPMNE-së të cilët dyshon për veprimtari të jashtëligjshme e korruptive, apo zgjedhjet e parakohshme – kjo mbetet të shihet.

Gazetare: Xhumadije Ibraimi

Klan Maqedonia