Dëbimi i diplomatit, reagon ashpër ambasada ruse: Akuzat, të pabazuara dhe të sajuara



Dëbimi i diplomatit, reagon ashpër ambasada ruse: Akuzat, të pabazuara dhe të sajuara

15:05 22/01/2021

Ambasada ruse në Tiranë ka reaguar sërish pas vendimit të Ministrisë së Jashtme për të dëbuar një diplomat të saj. Në një deklaratë lëshuar për mediat thuhet se vendimi për dëbimin e diplomatit  konsiderohet i paargumentuar. Sipas ambasadës, emri i Aleskej Krivoshejev nuk është përmendur asnjëherë gjatë kontakteve midis Ambasadës Ruse dhe Ministrisë së Jashtme. Në një reagim të gjatë, ambasada ruse thotë se akuzat ndaj diplomatit janë të pabazuara dhe të sajuara.

“Ne besojmë se akuzat kundër tij janë të pabazuara dhe të sajuara. Në sfondin e kësaj ngjarjeje, sigurimet e palës shqiptare në lidhje me përpjekjet e saj në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve miqësore midis vendeve tona ngjallin dyshime”, thuhet në deklaratë.

Ambasada ruse sqaron se për herë të parë dhe të fundit, emri i Krivoshejev është përmendur në notën verbale të Ministrisë së Punëve të Jashtme që u lëshua më 20 Janar të këtij viti dhe që e shpallte atë person “non grata”. Më tej thuhet se Ministria e Jashtme nuk ka sjellë asnjë provë të shkeljes së masave antiCovid nga ana e diplomatit. Sipas ambasadës, e njëjta problematikë është ngritur nga ministri në Detyrë, Gent Cakaj, në Korrik të vitit 2020, por për një tjetër diplomat.

Megjithatë, më tej shtohet se falë premtimit të ambasadorit rus në Tiranë, çështja me atë diplomat u zgjidh dhe ai u largua nga vendi me sukses duke e përfunduar shërbimin. Ndërkohë sa i përket Krivoshejev, ambasada shprehet se është diagnostikuar me Covid-19 në fillimit të muajit Nëntor të vitit të kaluar. Por ndryshe nga ç’pretendon Ministria e Jashtme, ambasada shprehet se ai e ka respektuar karantinën dhe ka qëndruar në vetëizolim për dy javë sëbashku me anëtarët e familjes.

“Sa i përket z. Krivoshejev, pasi u diagnostikua me COVID-19 në fillim të muajit nëntor 2020, në përputhje me protokollin mjekësor, ai ka qëndruar në vetëizolim për dy javë me anëtarët e familjes së tij, duke respektuar rreptësisht karantinën e përcaktuar, dhe ka dalë në punë vetëm pasi ka kaluar dy teste negative. Kontakte të jashtme, përveç vizitës në institucionet mjekësore për të kryer testet përkatëse, ai nuk ka patur”, thuhet në reagim.

Ambasada ruse lëshon një kritikë edhe për emrin e diplomatit të bërë publik. Sipas saj, publikimi i emrave mund të ndodhë vetëm pasi punonjësi është larguar nga vendi pritës.

“Gjithashtu, drejtojmë vëmendjen tuaj te fakti se, në përputhje me praktikën diplomatike ndërkombëtare, emrat e punonjësve të misioneve diplomatike të shpallur “persona non grata” nuk i komunikohen publikut. Kjo është, ndër të tjera, një nga detyrimet e vendit pritës, me qëllim ruajtjen e sigurisë personale të diplomatëve dhe anëtarëve të familjes së tyre. Publikimi i emrave mund të ndodhë, vetëm pasi punonjësi është larguar nga vendi pritës”, thuhet në reagim.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e shpalli diplomatin rus person “non grata” më 20 Janar. Në një reagim, thuhej se “Përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mikhail Afanasiev duke i bërë me dije shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti COVID-19 nga diplomati”. /tvklan.al







Të ngjashme