Dedikimi i djemve për nënën që iu vra nga dora e të atit – TV KLAN

Dedikimi i djemve për nënën që iu vra nga dora e të atit

Elca Tereziu, shqiptarja e cila të dielën e 27 Majit u vra nga bashkëshorti i saj në Piacenza të Italisë, la pas dy djem të moshës 17 dhe 19 vjeç.

Kur ka kaluar vetëm një javë nga ngjarja e rëndë dhe pas hekurave është babai i tyre, Xhevdet Mehmeti, dy djemtë e 52-vjeçares janë padyshim personat që e vuajnë më shumë humbjen e nënës së tyre të ndjerë.

Në një postim të përcjellë nga daja i tyre, dy djemtë i kanë dedikuar të ëmës disa fjalë prekëse, që flasin për grua të dashur, një nënë siç e quajnë ata ‘ekzemplare’, e cila bënte gjithçka për të mbrojtur fëmijët e saj.

“E dashur mami,

 Do të kisha dashur shumë të të shihja, të të përqafoja dhe të të thoja shumë gjëra. Do të më mungojnë shumë gjestet e tua, fjalët e tua, puthjet, shprehjet e shumë të tjera që vetëm ne i njohim. Do të më mungojë fytyra jote, afeksioni dhe dashuria jote, mbrojtja jote, gjestet e tua të përditshme, do më mungosh TI.

Edhe përse nuk je më, ti do të mbetesh gjithnjë në zemrën dhe mendimet e mia, gjatë gjithë jetës sime.

Nuk besoj në fe, sepse nëse Zoti ekziston, gjithçka ndodhi nuk do të kishte ndodhur. Por besoj që në një mënyrë apo një tjetër do të rishihemi shpejt mami. Mund të të shkruaja shumë fjalë për të përshkruar se çfarë njeriu i mrekullueshëm ishe, por limitohem me një, ishe një mama EKZEMPLARE. Do kisha shumë për të të thënë, por do t’i mbajmë për ne të dy. Një puthje dhe një përqafim të fortë. Të dua pafundësisht shumë, u prefsh në paqe mami”.

Djali 17-vjeçar i Elca Tereziut ndodhej në dhomën e tij, kur prindërit u përfshinë në një zënkë që pati pasoja tragjike. Ishte pikërisht adoleshenti që e gjeti të ëmën të mbuluar nga gjaku përtokë dhe kërkoi ndihmë. Pavarësisht ndërhyrjes së ndihmës së mjekëve, 52-vjeçarja nuk mundi të mbijetonte.

Sipas ekspertëve mjekoligjor, ajo ishte goditur me dhjetëra herë me thikë dhe ishte përpjekur të vetëmbrohej, por pa sukses. Ajo vdiq nga gjakderdhja.

Autori i këtij krimi të rëndë e ka pranuar dhe është shprehur i penduar për atë çfarë ka bërë. Ai ka pretenduar se gruaja ishte xheloze dhe agresive. Megjithatë sipas autoriteteve italiane, Elca Tereziu dhunohej vazhdimisht nga 57-vjeçari, por ajo nuk e kishte denoncuar kurrë në polici. 52-vjeçarja kishte përfunduar herë pas here në spital, por gjithnjë ishte justifikuar duke thënë se ishte lënduar aksidentalisht./tvklan.al

Kategori
KronikeLajmet KryesoreTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione