Kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim kanë qenë prezentë të tre në ceremoninë e organizuar këtë të diel në sheshin “Nënë Tereza” në kuadër të stërvitjes ushtarake “Defender Europe 21”.

Siç duket edhe nga pamjet që janë transmetuar në faqet zyrtarë të kreut të qeverisë dhe kreut të shtetit, udhëheqësit e Shqipërisë kanë qenë të ulur ngjitur me njëri-tjetrin, duke respektuar distancën për shkak të pandemisë.

Ajo që u vu re gjatë transmetimit në faqen e kryeministrit Edi Rama ishte fakti që në përfundim te fjalës së tij e ndërpreu transmetimin duke mos komnunikuar në këtë mënyrë fjalimin e Metës.

Në përfundim të ceremonisë, shikohet një takim mes Ramës dhe Kim. Ndërkohë ka patur edhe një takim mes Metës dhe Kim. Ka qenë kreu i shtetit që ka shpërndarë një foto të tij gjatë shtrëngimit të duarve me ambasadoren.

Kujtojmë që në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 Prillit, Presidenti Ilir Meta dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim u përplasën me deklarata të forta në distancë.

Yuri Kim deklaroi para disa ditësh në lidhje me këtë çështje se deklaratat e saj janë qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo opinione personale./tvklan.al