“Me qetësi dhe drejtësi, erdhi koha për llogari”

Presidenca reagoi pas deklaratës së ministres Etilda Gjonaj që hidhte poshtë akuzat e Ilir Metës ndaj saj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale të zëdhënësit të kreut të shtetit, Tedi Blushi, Presidenca liston akuzat, për të cilat është kallëzuar në SPAK Gjonaj dhe dy vartësit e saj.

Sipas Blushit, ministrja me deklaratën e saj nuk dha asnjë shpjegim për shkeljet e ligjit, por thjesht bëri retorikë me veten, duke pranuar në këtë mënyrë edhe fajësinë.

“Me daljen e sotme, shoqja Etilda, ka pranuar tërësisht fajësinë për të gjitha veprat penale për të cilat ajo është akuzuar. Shoqja Etilda nuk mundi të arsyetonte dot, se cila qe baza ligjore që e autorizon apo i jep të drejtë Ministrisë së Drejtësisë të kërkojë apo të urdhërojë botimin në Fletoren Zyrtare të një akti që nuk ishte nxjerrë prej institucionit të saj! Shoqja Etilda, nuk i dha përgjigje pyetjes, cila është ajo dispozitë e Kushtetutës dhe e Ligjit që lejon botimin në Fletoren Zyrtare të akteve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Shoqja Etilda, para se të përmendë në mekje e sipër nenet 3 dhe 4 të ligjit nr. 78/2014 “Për Qendrën e Botimeve Zyrtare”, bën mirë t`i lexojë më parë vetë”, thotë ai.

Sipas Blushit, Gjonaj ka anashkaluar sqarimin për falsifikimin e dokumenteve shtetërore, kur vetë Kuvendi i Shqipërisë nuk i ka kërkuar për botim.

“Dita e shtunë e datës 9 nëntor 2019, kur shoqja Etilda dhe celula mafioze në Ministrinë e Drejtësisë, ka dalë në punë, është një prej elementëve që provon anën subjektive të konsumimit me nxitim dhe dashje të veprave penale, ndikimit të paligjshëm, falsifikimit, dhe shpërdorimit të detyrës. Sa për hapjen e negociatave me BE-në, duhet ta dish se Kryekushti do të jetë hetimi dhe ndëshkimi i krimit Kushtetutës që keni bërë ju si grup i strukturuar kriminal. Po pse u lodhe kaq shumë moj shoqe e vërtetë Rilindase, për të mos thënë asgjë?! Etilda, trego shokët”, thotë ai.

Deklarata e Presidencën mbyllet me fjalinë: Me qetësi dhe drejtësi, erdhi koha për llogari!/tvklan.al