Lulzim Basha ka dënuar atë që ai e cilëson “sulm rrugaçëror të Edi Ramës kundër liderëve politikë të Kosovës”, duke iu referuar deklaratave që Kryeministri Edi Rama bëri në drejtim Ramush Haradinajt, të cilin e cilësoi gënjeshtar.

“Dënoj sulmin rrugaçëror të Edi Ramës kundër liderëve politikë të Kosovës dhe shpreh ndjesë në emër të çdo shqiptari për këtë akt të papranueshëm! Gjuha e urrejtjes ndaj institucioneve të Kosovës është akt i denjë vetëm për një peng të antishqiptarizmit si Edi Rama! Kosova është shtet i pavarur dhe Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj. Koha e vasalitetit të autokratit të korruptuar të Tiranës ndaj armiqve dhe kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës do të marrë fund shumë shpejt!”, shkruan Basha.

Teksa në Tiranë zhvillohej samiti i Minishengenit, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se ky samit bëhej që Kosova të heqë taksën ndaj Serbisë. Ai tha se Kosova ka perspektivë Shengenin evropian dhe jo Minishengenin Ballkanik.

“Jemi të interesuar për Shengen, pra për Bashkimin Evropian, Brukselin. Kosova është vend euroatlantik. Kjo është perspektiva jonë. Krejt “Minishengeni” një qëllim e ka, me e heq taksën”.

Por në një reagim për gazetarët, Rama e cilësoi këtë gënjeshtër.

“Zoti Haradinaj është një gënjeshtar që gënjen përsëri. Gënjen nga padituria apo qëllimisht këtë nuk kam arritur ta zbuloj, por është gënjeshtar sepse këtu nuk ka asnjë kusht dhe asnjë detyrim. Kjo nismë ka për qëllim të zbatojë të gjitha marrëveshjet e bëra më parë mes të gjitha vendeve. Unë dua që në këtë proces ne të fusim hap pas hapi edhe elementë të tjerë siç është elementi që ka të bëjë me zhbllokimin e ngërçit të energjisë. Është një gënjeshtër. Nuk është kështu. Nuk ka asnjë lloj detyrimi në këtë aspekt”./tvklan.al