Analistët: Priten edhe marrëveshje politike me Serbinë

Delegacioni i Kosovës është nisur për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në 4 Shtator do të zhvillojë një takim me palën serbe, në Shtëpinë e Bardhë. Në këtë takim ka mundësi që të jetë i pranishëm edhe Presidenti Amerikan, Donald Trump.

Zyrtarisht është njoftuar se në këtë takim do të nënshkruhen tre marrëveshje ekonomike.

Politologu, Ramush Tahiri pret që në këtë takim do të ketë edhe marrëveshje politike-parimore,  për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Marrëveshja do të jetë normalizimi i marrëdhënieve, paqe dhe stabilitet. Nuk do të ketë prekje të kufijve, do të jenë kufij të hapur. Kjo do të jetë shansi i fundit për Serbinë dhe Kosovën, që të tregohet një gatishmëri për të nënshkruar këtë marrëveshje”.

Më tej, thotë se Kosova nuk ka arsye që të mos e nënshkruaj këtë marrëveshje.

“Kosova parimisht pajtohet me këtë marrëveshje sepse nuk ka asgjë të keqe për Kosovën dhe s’mund të ketë. Serbia nëse e lëshon këtë shans, e humb shansin të bisedoj me Kosovën”.

Kosova dhe Serbia do të takohen më 4 Shtator, në Washington pas anulimit të takimit të 27 Qershorit, ndërsa një takim tjetër ndërmjet të dyja palëve do të mbahet menjëherë pas tri ditësh në Bruksel.

Tv Klan