Vrau Haxhi Baçinozin për një borxh të pashlyer

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 30 vite burg Islam Myrtajn, i arrestuar një vit më parë për vrasjen e shokut të tij Haxhi Baçinozi. 61-vjeçari u shpall fajtor për akuzën e “Vrasjes me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”  edhe pse gjatë seancës shfaqi pendesë për krimin e kryer.

Ngjarja e rëndë ndodhi në mars të vitit të kaluar pranë kodrave të Liqenit Artificial në Tiranë. Sipas hetimeve, autori i kishte borxh viktimës një shumë prej 46 mijë euro që më pas u bë edhe  shkak I konfliktit, që përfundoi në vrasjen e Baçinozit.

Islam Myrtja katër ditë pas krimit u dorëzua në policinë e Tiranës duke pranuar edhe vrasjen. Ndërkohë edhe gjatë fazës së hetimeve, ai ka shprehur pendesë për krimin, por ka sqaruar se është fyer dhe goditur nga viktima në momentin që janë përballur pranë kodrave të liqenit.

 Ai ka pretenduar se vrasja nuk ishte e paramenduar dhe se mbante armë me vete për shkak të kërcënimeve që viktima i bënte atij dhe familjarëve për një borxhin e pakthyer.

Tv Klan