Palët do të takohen më 2 Shtator në Shtëpinë e Bardhë


I dërguari special  i SHBA-së për dialogun Kosovë- Serbi Richard Grenell ka konfirmuar se më 2 Shtator do të ndodhë takimi ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe për vazhdimin e dialogut.

“Jemi të lumtur t’iu informojmë se liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen më 2 Shtator në shtëpinë e bardhë për vazhdimin e dialogut”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Takimi ishte planifikuar të ndodhte me 27 Qershor, por ishte anuluar pas publikimit të aktakuzës nga prokuroria speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi për krime luftë derisa delegacioni i Kosovës ndodhej në rrugë për në SHBA. Presidenti Hashim Thaci ka mirëpritur ftesën e SHBA-së për një takim të Kosovës me Serbinë.

Pa dhënë detaje nëse do të përfaqësojë ose jo Kosovën, Thaçi ka shkruar në Twitter se janë falënderues për dedikimin e jashtëzakonshëm të SHBA-së për paqen dhe stabilitetin në rajon.  Kryeministri Avdullah Hoti ka konfirmuar takimin e 2 Shtatorit, ndërsa ka thënë se temë e diskutimit do të jenë çështjet ekonomike.

“SHBA-ja ka qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Më 2 Shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do të ndryshojnë perspektivën ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Kosova është e bekuar me miqtë që ka”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA emri i së cilës po lakohet si kandidate e mundshme e PDK-së për Presidente të vendit në rast të dorëheqjes së presidentit aktual, ka përshëndetur dhe falënderuar zyrtarët amerikan për caktimin e një date të re për takimin mes palës kosovare dhe asaj serbe.

Caktimi i një date të dytë nga SHBA-ja për vazhdimin e dialogut vjen një ditë pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës i thanë jo miratimit të projektligjit për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së për vcka ambasadori amerikan u kishte bërë thirrje që të mos e miratojnë një ligj të tillë, i cili sipas tij do të kriminalizonte fjalën e lirë.

Tv Klan