Disa persona mbetën të plagosur me thikë në një prej rrugëve më të populluara të Londrës. Autori i dyshuar i ngjarjes u qëllua për vdekje nga policia. Ngjarja e rëndë ndodhi këtë të diel në Streatham High Road dhe është deklaruar si incident terrorist nga autoritetet britanike.

“Në këtë fazë, besohet se të plagosur me thikë kanë mbetur disa persona. Rrethanat mbeten ende për t’u qartësuar, incidenti po trajtohet si i lidhur me terrorizmin”, tha Policia Metropolitane, e cila theksoi se situata ishte vënë nën kontroll.

Një dëshmitar tha se kishte dëgjuar të shtëna me armë ndërkohë që ndodhej në zonë.

“Mund të shihja gjak gjithandej. Ishte një zonjë jashtë një farmacie e cila ishte goditur me thikë nga pas, shumë njerëz kishin shkuar pranë saj për ta ndihmuar“, tha ai për The Independent.

Fotografi të postuara në rrjete sociale tregojnë një person të shtrirë përtokë, që dyshohet se është dhe autori i ngjarjes. Ai mbante veshur në trup një jelek me eksploziv. Mbetet e paqartë nëse veshja ishte reale.

“Pamë një person që mbante në dorë një thikë të madhe, dëgjuam të shtëna dhe pamë policinë që po e ndiqte nga pas në rrugë”, tha një banor i zonës.

Për ngjarjen reagoi edhe Kryeministri britanik Boris Johnson, i cili falenderoi shërbimet e emergjencës që shkuan në vendin e ngjarjes dhe u erdhën në ndihmë të lënduarve.

Ndërsa kryebashkiaku i Londrës tha: “Terroristët kërkojnë që të na përçajnë dhe të shkatërrojnë mënyrën tonë të të jetuarit. Këtu në Londër nuk do i lejojmë kurrë që t’ia dalin mbanë”. /tvklan.al