Tre persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor “Tranzit”, duke u parandaluar tentativa për të trafikuar në Francë për shfrytëzim prostitucioni një vajzë 26-vjeçare. Të arrestuarit janë A.K. 29 vjeç i dënuar më parë për shitje droge, A.Ç. 26 vjeç dhe 30-vjeçarja me iniciale F.K., me detyrë kontrollore e policisë kufitare në Rinas.

Dy të rinjtë tentuan të trafikonin drejt Francës një 26-vjeçare, të cilën aty do ta priste një person tjetër, i cili është identifikuar si 33-vjeçari me inciale K.B., dhe është shpallur në kërkim në bashkëpunim me autoritetet franceze. Dyshohet se ai do të shfrytëzonte për prostitucion 26-vjeçaren.

Kurse kontrollorja e policisë në aeroportin e Rinasit dyshohet se kundrejt ryshfetit ka ndihmuar dhe lehtësuar procedurat e kalimit deri në zonën tranzit të Rinasit për vajzën 26-vjeçare. /tvklan.al