Monedha e përbashkët europiane nuk po ndal rënien e saj në tregun e këmbimit valutor vendas. Një euro këmbehet me 123.95 lekë, duke arritur në rekordin më të ulët të kuotimit të saj gjatë 10 viteve të fundit.

Për ekspertët e ekonomisë, dobësimi i monedhës eurpiane lidhet me disa faktorë në treg, të cilët janë sezonalë, duke qenë se është periudhë fundviti dhe ka shtim të emigrantëve dhe zhvillimet në tregun e shit-blerjes së bankave. Por Zef Preçi thotë se mbi të gjitha kursi i këmbimit lidhet me kërkesën dhe ofertën, çka tregon një shtim të lartë të euros në tregun vendas.

Situata me kursin e këmbimit bëhet më e pasigurt, thonë ekspertët, për sa kohë që organi më i lartë vendimmarrës në Bankën Qendrore, Këshilli Mbikëqyrës, nuk funksionon. Një ditë më parë sërish Banka e Shqipërisë dështoi në organizimin e një mbledhjeje, për shkak të vonesave të Kuvendit në përzgjedhjen e anëtarëve të këtij bordi që po u përfundon mandati.

Leku ka arritur që të mposhtë këtë javë të gjitha monedhat. Për herë të parë paundi britanik ka kërcyer poshtë nivelit 140 lekë, duke u këmbyer me 139.17 lekë, ndërsa dollari amerikan kuotohet 109. 37 lekë. Për 9 muajt e para edhe çmimet e mallrave që importohen kanë rënë mesatarisht me 1.8% krahasuar me një vit më parë, por nga ana tjetër këto kosto të dobësimit të euros i ngarkohen prodhuesve dhe eksportuesve në Shqipëri.

Tv Klan