Largimi nga detyra pas vrasjes nga policia të Klodian Rashës

Sandër Lleshaj dorëhiqet nga detyra e ministrit të Brendshëm. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili në një komunikim drejtuar qytetarëve, ka thënë se Lleshaj i kishte vendosur në dispozicion dorëheqjen e tij.

Dorëheqja e Sandër Lleshajt vjen pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i forcave “Shqiponja” në orët e para të mëngjesit të 8 Dhjetorit në zonën e Laprakës në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama: “Pas marrjes së njoftimit për ngjarjen ministri i Brendshëm më ka informuar dhe më ka vënë në dispozicion dorëheqjen e tij. Jo për të larë gojën por për të më shpjeguar  se ishte rruga e duhur e tij për të personalisht dhe për qeverinë dhe për shumicën tonë qeverisëse.

I kam thënë pres të kthehem se kam dashur ta shoh në sy dhe kam dashur ta dëgjoj dhe të më dëgjojë në momentin e hedhjes së këtij hapi të rëndësishëm për të treguar kuotën e lartë morale të Sandër Lleshaj.

Unë e kam ditur, por sot ta marrin vesh të gjithë që jo të gjithë janë njësoj. As politikanët nuk janë njësoj. Ai nuk ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të efektivit të policisë, por është vrarë një djalë 25-vjeçar dhe është hapur një varr në shtëpinë e një familje shqiptare.

Tjetër të ndash dhimbje me fjalë e tjetër është ta thuash atë me një vepër të mirë si një shqiptar i mirë. E di dhe zëre se e kam dëgjuar gojën e shthurur të atyre që nuk mungojnë të na turpërojnë kurrë si popull si vend, që do thonë çfarë nuk do thonë, por të thonë çfarë të duan se koha do e tregojë dhe historia do e tregojë që nuk i kemi lënë mangët asgjë e askujt. Kur kam hyrë në këtë zyrë kam thënë se zyra është e imja dhe pushteti i juaj. Me siguri nuk e kam treguar si duhet, pa dyshim që nuk është faj që dukem si arrogant, por komunikoj me shumë njerëz. Kam bërë gabimet e mia, por nuk e mbaj mend por mbase e ka fajin kujtesa ime, që një qeveri të synojë kuotën e duhur morale pa i bërë bisht asnjëherë nevojës për reflektim dhe të kërkojnë ndjesë dhe të ndajnë veten nga ndjeshmëria popullore. Ndonjëherë dhe gabojmë, por përpiqemi me mish e me shpirt që t’ia dalim dhe të jemi në lartësinë e besimit tuaj”.

/tvklan.al