Pas tre muajve të kaluar në paraburgim, gjykata turke ka liruar me kusht 8 aktivistë për të drejtat e njeriut që po gjykohen për terrorizëm, në bashkëpunim me organizatën FETO të Fetullah Gulen.

Për arsye ende të paqarta, prokurorët e çështjes i thanë dje gjykatës se të pandehurit mund të hetohen edhe në gjendje të lirë, diçka që solli edhe lirinë me kusht për ta. Mes tyre është Idil Eser, drejtoresha e “Amnesty International” për Turqinë, e cila tha se u habit nga vendimi i gjykatës, por po shijon momentin. Aktivisti gjerman Peter Steudtner, tha se beteja vazhdon ndërsa mori avionin për të shkuar në shtëpinë e tij në Gjermani.

Që të gjithë aktivistët përballen me mundësinë e 15 viteve burg nëse shpallen fajtorë për pjesëmarrje dhe mbështetje të grupeve të armatosura terroriste. Që të gjithë të pandehurit i mohuan akuzat ne gjyq dhe deklaruan se çështja është e motivuar politikisht për të heshtur kritikët e qeverisë Erdogan.

Aktualisht nën masa arresti në Turqi po mbahen 10 persona me nënshtetësi gjermane, ndër ta edhe gazetarët Deniz Yücel dhe Mesale Tolu. Më shumë se 50.000 vetë kanë qenë burgosur dhe më shumë se 150.000 të tjerë janë pushuar nga puna në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme, të vendosur që kur dështoi grushti i shtetit kundër Presidentit Rexhep Tayyip Erdogan në korrik 2016. Këto veprime kanë shkaktuar shqetësim në të gjithë botën për shkak të goditjes kundër sundimit të ligjit në Turqi.

Burimi: Klan Plus